Në kuadër të bashkëpunimit dypalësh në mes të Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës dhe të Republikës Federale të Gjermanisë, nga data 23 deri më 25 qershor u realizuan vizita dhe takimet zyrtare në Ministrinë e Mbrojtjes Federale në Berlin.
Delegacioni i Ministrisë së Mbrojtjes u përfaqësua nga drejtori i Departamentit për Politika dhe Strategji, Azem Smajli, i shoqëruar nga shefi i Sektorit për Bashkëpunim Bilateral dhe Multilateral, nënkolonel Gëzim Sada dhe atasheu i mbrojtjes së Republikës së Kosovës në Gjermani, kolonel Bekim Zejnullahu.
Delegacioni i Ministrisë Federale të Mbrojtjes së Republikës Federale të Gjermanisë, i përbërë nga zyrtarë të lartë, u kryesua nga udhëheqësi i Departamentit për Evropën Lindore, Azinë dhe Oqeaninë, kolonel Nils Heiko Hutter.
Takimet dhe diskutimet ndërmjet dy delegacioneve u zhvilluan në disa sesione, gjatë të cilave u trajtuan tema me rëndësi strategjike, përfshirë situatën e sigurisë në botë dhe në Evropë, luftën në Ukrainë, si dhe krizat në rajone të tjera. Me theks të veçantë u diskutua roli i të dy vendeve për të mbështetur Ukrainën, përmes angazhimit diplomatik, ushtarak dhe financiar.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve iu kushtua zhvillimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe zhvillimeve në kuadër të NATO-s. Delegacioni gjerman u informua për progresin e arritur nga FSK-ja, duke u theksuar se ajo aktualisht ndodhet në fazën III të tranzicionit, me synimin për të arritur kapacitetet e plota operacionale deri në vitin 2029.
Gjatë takimeve u diskutua edhe për bashkëpunimin ndërkombëtar dhe kontributin në operacionet ndërkombëtare. Në këtë kuadër u diskutua për zhvillimet, të cilat do të rrisin kapacitetet dhe aftësitë ushtarake të FSK-së, si dhe do të kontribuojnë për sigurinë dhe stabilitetin ndërkombëtar përmes mbështetjes së partnerëve duke marrë pjesë në misione dhe operacione ndërkombëtare.
Në sesionin kushtuar bashkëpunimit dypalësh dhe bashkëpunimit në fushën e armatimit dhe industrisë së mbrojtjes, delegacioni i Kosovës shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Republikës Federale të Gjermanisë si dhe u ritheksua përkushtimi i Kosovës për forcimin e partneritetit strategjik me Gjermaninë, zhvillimin e sektorit të mbrojtjes sipas standardeve të NATO-s dhe kontributin e përbashkët për të ruajtur paqen dhe stabilitetin rajonal.