Zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, priti sot në takim, shefen e Operacioneve Aktuale të Divizionit Operativ të Shtabit të Përgjithshëm të NATO-s, Ariella Viehe, shoqëruar nga drejtori i Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT), gjeneral brigade Jörg Rüter.
Me këtë rast, zëvendësministri Syla shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin e lartë për kontributin e Ekipit të NALT-it në zhvillimin dhe avancimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, duke shprehur besimin se ky kontribut do të vazhdojë edhe më fuqishëm në të ardhmen.
Gjithashtu, ai u shpreh mirënjohjes për rolin dhe angazhimin e KFOR-it në shërbim të sigurisë së vendit dhe ndikimit shumë të rëndësishëm edhe në stabilitetin dhe sigurinë rajonale, krahas bashkëpunimit të shkëlqyeshëm me FSK-në.
“Synimi ynë shtetëror është anëtarësimi në NATO dhe për këtë qëllim të gjitha angazhimet tona në politikë bërje dhe vendimmarrje janë të orientuara në këtë drejtim”, tha ndër të tjera zëvendësministri Syla, duke theksuar vullnetin e plotë të angazhimit në operacione të NATO-s, në të mire të paqes, stabilitetit dhe sigurisë globale.