Zëvendësministri i Mbrojtjes priti komandantin e Forcave Tokësore të FA të Shqipërisë

Sot, zëvendësministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, z. Burim Ramadani, ka pritur në takim komandantin e Forcave Tokësore të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë(FARSH), gjeneral brigade Albert Mullai, me stafin e tij, i cili që nga dje është duke qëndruar për vizitë zyrtare në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Me këtë rast, zv. ministri Ramadani e ka falënderuar komandantin e Forcave Tokësore të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, gjeneralin Mullai, për ndihmën profesionale dhe bashkëpunimin e ndërsjellë. Ata gjithashtu biseduan edhe për thellimin e bashkëpunimit të mëtejmë në fushën e Sigurisë dhe fushën Ushtarake.Po ashtu, delegacioni i Forcave Tokësore të Republikës së Shqipërisë, gjatë qëndrimit në Forcën e Sigurisë së Kosovës vizituan njësitë e FSK-së dhe Qendrën për Studime Universitare të FSK-së. Në takime të ndara, gjenerali Mullai u prit nga shefi i Stafit të Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral brigade Jeton Dreshaj dhe komandanti i Brigadës së Reagimit të Shpejtë, gjeneral brigade Fadil Hadergjonaj, të cilët, gjeneralin Mullai e njoftuan me të arriturat e fundit në procesin e transformimit nëpër të cilin është duke kaluar FSK-ja, për sfidat e sigurisë, ndër të tjera diskutuan edhe për thellimin e bashkëpunimit dhe realizimin e projekteve të ndryshme që janë me interes të përbashkët të dyja forcave.

Qëllimi i kësaj vizite ishte planifikimi dhe thellimi i programuar i stërvitjeve dypalëshe të trupave të FSK-së dhe FARSH-së, në veçanti të atyre speciale, me synim ngritjen e tyre profesionale, duke i përshtatur me kërkesat e NATO-s, në përputhje edhe me planin e transformimit të FSK-së.Kjo vizitë u realizua në kuadër të bashkëpunimit bilateral të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe asaj të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

This site uses cookies to offer you a better browsing experience. By browsing this website, you agree to our use of cookies.