U mbajt ceremonia e pensionimit të gjeneral brigade Fadil Hadërgjonaj

Në ambientet e Kazermës “Adem Jashari” në Prishtinë, sot u mbajt ceremonia zyrtare me rastin e pensionimit të rregullt të oficerit të lartë të FSK-së, njëherit komandantit të deritashëm të Komandës së Forcave Tokësore, gjeneral brigade Fadil Hadërgjonaj. Me këtë rast, para familjarëve, miqëve, bashkëluftëtarëve e bashkëpunëtorëve të gjeneral Hadërgjonaj, të pranishëm në ceremoni, me fjalime të tyre u paraqitën komandanti i FSK-së, gjenerallejtnant Rrahman Rama dhe zëvendësministri i mbrojtjes, Adnan Rexheplar. Nga ana e tij, gjeneral Rama vlerësoi lartë rolin dhe kontributin e gjeneral Hadërgjonaj si patriot i madh dhe profesionist i shkëlqyer ushtarak para, gjatë dhe pas luftës për liri, si epror i UÇK-së, kontributin e madh në TMK si dhe të gjitha të arriturat e deritashme në FSK. Ai shprehu mirënjohjen e thellë për familjen dhe sakrificën e tyre përgjatë gjithë karrierës së gjatë të gjeneral Hadërgjonaj, duke potencuar se eksperiencën profesionale të tij për procesin e zhvillimit të FSK-së e mirëpresim edhe pas pensionimit.Në vazhdim, në fjalën e tij, zëvendës ministri Rexheplar, përcolli urimet dhe përshëndetjet e ministrit Mehaj, i cili gjendet aktualisht në vizitë zyrtare në Kroaci, duke shprehur vlerësimin më të lartë për nivelin akademik dhe profesional të gjeneral Hadërgjonaj si dhe mirënjohjen më të thellë për rolin dhe kontributin e madh të tij gjatë gjithë jetës dhe gjithë karrierës ushtarake për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Republikës së Kosovës në përgjithësi si dhe Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së në veçanti. Me urdhër të veçantë, komandanti i FSK-së, gjenerallejtnant Rrahman Rama, me motivacion për kontributin e madh në FSK , si gjeneral me karrierë të gjatë e të shkëlqyeshme ushtarake i ndau “Medaljen e karrierës”. Në fund, në fjalën e tij përshëndetëse, gjeneral Hadërgjonaj, shprehu nderin dhe krenarinë e tij që ishte në shërbim të atdheut, kombit dhe kauzës së tij për liri në momentet më të vështira. Ai theksoi gjithashtu mirënjohjen dhe vlerësimin e lartë për të gjithë bashkëluftëtarët, bashkëveprimtarët e bashkëpunëtorët përgjatë gjithë veprimtarisë dhe karrierës së tij ushtarake në shërbim të vendit dhe qytetarëve të tij. Në mënyrë të veçantë shprehu krenarinë e tij për pjestarët e Komandës së Forcave Tokësore të cilët i komandoi dhe drejtoi që nga fillimi i legjitimimit të mandatit ushtarak të FSK-së. Gjithashtu, falenderoi familjen për përkrahjen, durimin dhe sakrificën e tyre përgjatë periudhës së gjatë të shërbimit të tij profesional duke shprehur gatishmërinë e tij që edhe në të ardhmen të ofroj gjithëherë përvojën e tij në zhvillimin dhe avancimin e FSK-së. Fjalimin e tij e përmbylli me fjalën e njërit nga udhëheqësit më të mëdhenj ushtarakë amerikan, gjeneral Douglas MacArthur kur i drejtohet Kongresit Amerikan në një seancë të përbashkët më 1951 duke cituar në fund të fjalimit një baladë të vjetër të ushtrisë : “Ushtarët e vjetër kurrë nuk vdesin – ata thjesht veniten.”

This site uses cookies to offer you a better browsing experience. By browsing this website, you agree to our use of cookies.