Togeri Xhevahir Hasanaj dekorohet nga ushtria e SHBA-ve

Oficeri i Forcës së Sigurisë të Kosovës (FSK), togeri Xhevahir Hasanaj, përfundoi me suksese të lartë trajnimin „Civil Affairs“ që realizohet nga Qendra dhe Shkolla për Luftëra Speciale (Special Warfare Center and School) „John F. Kennnedy“ e Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).
Toger Hasanaj ka treguar paraqitje të shkëlqyer në të gjitha fazat e shkollimit, duke u renditur si njëri nga studentët me vlerësimet më të larta. Si rezultat i paraqitjes së lartë; pas përfundimit të trajnimit, togeri Xhevahir Hasanaj u dekorua me medaljen e meritave „Commendation Medal“ dhe mori çmimin „Distinguished Honor Graduate“.
Arritjet e shkëlqyeshme gjatë shkollimit për pjesëtarin e FSK-së, togerin Xhevahir Hasanaj, janë në vazhdën e sukseseve të tjera, si fitimi i çmimit „Kadeti më i mirë i huaj në fushën ushtarake, akademike dhe praktike“ në vitin 2017, gjatë shkollimit në Akademinë Mbretërore Sandhurst të Mbretërisë së Bashkuar.

This site uses cookies to offer you a better browsing experience. By browsing this website, you agree to our use of cookies.