Takim lamtumirës në Ministri të Mbrojtjes për drejtorin e NALT-it, gjeneral brigade Michael G. Oberneyer

Në një ceremoni modeste, sot në Ministri të Mbrojtjes u mbajtë takimi lamtumirës për drejtorin e Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT), gjeneral brigade Michael G. Oberneyer. Në takim ishin prezent Ministri i Mbrojtjes Anton Quni, Zëvendësministri i Mbrojtjes Enver Dugolli, Komandanti i FSK-së gjenerallejtnant Rrahman Rama, U.d. Sekretari i Përgjithshëm Faruk Geci, Shefi Kabinetit të Ministrit Jashar Ramadani, zëvendësdrejtori i NALT-it Christian Boatswain, si dhe oficerë dhe zyrtarë të lartë të ministrisë. Në fjalën falënderuese, Ministri Mbrojtjes Anton Quni theksoi se, gjenerali Oberneyer ka arritur të krijoj besueshmëri të lartë në raportet e FSK-së me NATO-n dhe se ai është pjesë e historisë sonë moderne. Sukseset e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së janë rezultat edhe i angazhimit me përkushtim profesional të ekipit të udhëhequr nga gjeneral Oberneyer dhe punës sonë të përbashkët. Me këtë rast, ministri Anton Quni i dhuroi medaljen “Shërbim i shquar”, në shenjë mirënjohje të ndihmës së tij të jashtëzakonshme dhe mbështetjes shembullore për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Po ashtu komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama në fjalën e tij e falënderoi gjeneralin Oberneyer, për të gjithë punën dhe angazhimet e tij, duke theksuar se ai ka qenë shembull i mirë motivimi për të gjithë ne. Me motivacionin për vetëmohim dhe mbështetje të jashtëzakonshme, për vizionin strategjik, udhëheqjen dhe angazhimin e tij, që kanë qenë thelbësore për të ndihmuar zhvillimin e FSK-së, gjeneral Rama i dhuroi medaljen për “Merita të Shquara”. Nga ana e tij gjeneral Oberneyer, u shpreh shumë falënderues për mikpritjen e ofruar në Ministri dhe FSK gjatë misionit të tij, si dhe për bashkëpunimin e mirë dhe të shumëanshëm në ngritjen e FSK-së sipas standardeve të NATO-s.

This site uses cookies to offer you a better browsing experience. By browsing this website, you agree to our use of cookies.