Sllovenia partner i rëndësishëm i Kosovës në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë

Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj sot ka pritur në takim homologun e tij, ministrin e Mbrojtjes së Sllovenisë, z. Matej Tonin.

Me këtë rast, ai ka falënderuar dhe shprehur mirënjohjen e lartë për kontributin e Republikës së Sllovenisë në shtet-ndërtimin e vendit tonë si dhe shërbimin e vazhdueshëm të forcave sllovene në kuadër të KFOR-it.

Ministria e Mbrojtjes së Sllovenisë ka mbështetur në vazhdimësi edhe ngritjen dhe zhvillimin e Ministrisë sonë dhe FSK-së përmes këshilltarëve në kuadër të NALT-it dhe bashkëpunimit tonë bilateral.

Krahas diskutimeve për sfidat në mjedisin aktual të sigurisë në rajon dhe më gjerë, dy ministrat, Mehaj dhe Tonin u dakorduan që bashkëpunimi bilateral në mes të dy ministrive të thellohet edhe më tej në të ardhmen në fushat e interesit të përbashkët.

Ministri Tonin u zotua se Sllovenia si vend anëtar i NATO-s do të mbështetë vendin tonë edhe në proceset integruese euroatlantike.

This site uses cookies to offer you a better browsing experience. By browsing this website, you agree to our use of cookies.