Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleati ynë më i besueshëm

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, priti në takim Komandantin e Korpusit të V-të të Forcave të Ushtrisë Amerikane, gjenerallejtënant John Kolasheski.

Në këtë takim, i cili ishte në frymën e bashkëpunimit të vazhdueshëm, u diskutua rreth avancimit që është bërë në ushtri, gatishmërisë së dy palëve për pjesëmarrje në misione të përbashkëta paqeruajtëse, shkollimin e kadetëve tonë në akademitë amerikane, etj.

Temë me rëndësi në këtë takim ishte situata aktuale gjeopolitike, ndikimi i luftës në Ukrainë, ndihma që ushtria e Republikës së Kosovës po ofron për sa i përket transportimit të ndihmave humanitare, pranimit të refugjatëve dhe qëndrimit të drejtë që shteti i Kosovës ka treguar sa i përket agresionit rus dhe tendencës për destabilizimin e rajonit të Ballkanit.

Me këtë rast, Ministri Mehaj theksoi se miqësia ndërmjet SHBA-së dhe Republikës së Kosovës është ndërtuar ndër vite, andaj dhe çdo veprim ushtarak është dhe do të jetë gjithmonë në koordinim me partnerin tonë strategjik, Ushtrinë Amerikane.

This site uses cookies to offer you a better browsing experience. By browsing this website, you agree to our use of cookies.