Shënohet me aktivitete të shumta 10 vjetori i partneritetit ndërshtetëror Iowa-Kosovë

Në shënim të 10 vjetorit të Partneritetit Ndërshtetëror në mes shtetit të Iowa-s dhe Republikës së Kosovës, nga 5-7 nëntor, në Des Moines të Iowa-s, u organizuan aktivitete të shumta në të cilat mori pjesë ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj. Gjithashtu, në këtë ceremoni ishin edhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, si dhe delegacioni i lartë i dikastereve qeveritare dhe FSK-së.Vizita e zyrtarëve të lartë filloi në State Capitol, ku u pritën nga Guvernatorja e shtetit të Iowa-s, Kim Reynolds. Në këtë takim u theksua se bashkëpunimi bilateral në mes të dy vendeve do të vazhdojë dhe intensifikohet edhe më tej me partneritet të përjetshëm. Ministri Mehaj me këtë rast theksoi se partneriteti ndërshtetëror në përgjithësi dhe në mes dy forcave në veçanti, është historia dhe realiteti më i shkëlqyeshëm, si dhe faktori më i rëndësishëm për të gjitha sukseset dhe të arriturat e deritashme të FSK-së.Gjithashtu, ai shprehu vullnetin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për inicimin e bashkëpunimit në fushën e industrisë së mbrojtjes, si dhe për nevojën e pranisë së një baze të përhershme ushtarake amerikane në Republikën e Kosovës, e cila do të ishte në interes të të gjithë rajonit dhe më gjerë.Në vazhdën e aktiviteteve në shënimin e 10-vjetorit të Programit të Partneritetit Shtetëror, ministrat tanë u takuan edhe me senatorët Annette Sweeney dhe Zach Nunn.Me senatorët, përveç tjerash u diskutua edhe për mundësitë e thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit edhe në fusha të tjera, nën shembullin e bashkëpunimit të shkëlqyeshëm ushtarak ndërmjet Gardës Kombëtare të Iowa-s dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.Nga ana e tyre, ministri Mehaj mori zotimin për mbështetjen e plotë të synimeve të tij nga autoriteti i tyre.Më tej, ministri Mehaj u prit edhe në Komandën dhe Shtabin e Përgjithshëm të Gardës Kombëtare të Iowa-s, ku u takua me komandantin e saj, gjeneral major Ben Corell dhe stafin e tij. Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan që dy forcat tona, për një dekadë të veprimit të përbashkët, kanë arritur në stadin që të veprojnë si një trup i vetëm.Me këtë rast, gjeneral Corell njoftoi ministrin Mehaj edhe me disa kapacitete të aviacionit të tyre, me interes për Ministrinë e Mbrojtjes.Në ditët në vazhdim, ministri Mehaj, në konferencën “E gjithë Iowa për gjithë Kosovën” mbajti fjalim para përfaqësueseve të autoriteteve civile. Në këtë konferencë, sektori civil i shtetit të Iowa-s prezantoi sukseset e shumta të realizuara gjatë partneritetit ndërshtetëror 10 vjeçar, Iowa-Kosovë, si dhe vizionin për të ardhmen.Ndërkaq në fjalimin e tij në Seminarin e përbashkët me Gardën Kombëtare të Iowa-s, në Programin “Military to Military”, ministri Mehaj theksoi fuqishëm se: – Për Republikën e Kosovës, ruajtja dhe forcimi i aleancës dhe zhvillimi i partneritetit të përjetshëm me SHBA-në, kanë qenë dhe janë elementi më themelor i politikave tona.- Programi i Partneritetit Shtetëror ndërmjet Gardës Kombëtare të Iowa-s dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës është pjesë shumë e rëndësishme e marrëdhënieve të shkëlqyera që kemi krijuar me Shtetet e Bashkuara.

Gjithçka që ka arritur Republika e Kosovës në përpjekjet e saj në luftën për liri, pavarësi dhe shtetndërtim është bërë bashkë me SHBA-në dhe kjo është diçka që nuk do të ndryshojë kurrë.Ne do ta vlerësojmë përjetësisht mbështetjen e vazhdueshme në të gjitha fushat, të SHBA-së dhe jemi plotësisht të përkushtuar për forcimin e mëtejshëm të këtij partneriteti.Republika e Kosovës është me fat shumë të madh që ka këtë partneritet të shkëlqyer me SHBA-në dhe shtetin e Iowa-s.

This site uses cookies to offer you a better browsing experience. By browsing this website, you agree to our use of cookies.