Sekretari i NATO-së , Jens Stoltenberg përgëzoi kryeministrin Kurti për emërimin e Armend Mehajt, Ministër të Mbrojtjes

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, bashkë me komandantin e KFOR-it, gjeneral Frederici, dje priti në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg në kuadër të vizitës së tij një ditore. Më pas në takimin mes dy delegacioneve, sekretari Stoltenberg dhe kryeministri diskutuan rolin e NATO-s në Kosovë dhe bashkëpunimin me institucionet për sigurinë në vend. Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e popullit dhe Qeverisë së Kosovës për kontributin e çmuar të NATO-s në Kosovë dhe rëndësinë e KFOR-it për siguri dhe stabilitet në rajon. Ai ritheksoi përkushtimin e Kosovës për integrim në NATO, aleancën më të madhe të paqes e sigurisë në botë. Kryeministri Kurti e njoftoi sekretarin Stoltenberg për përmirësimin e situatës me pandeminë COVID-19, si rezultat i menaxhimit të mirë institucional dhe për reformat e nisura në drejtësi e punësim. Nga e tij, Sekretari Stoltenberg vlerësoi angazhimin institucional për të garantuar sigurinë në vend dhe shprehu përkushtimin e vazhdueshëm të misionit të NATO-s për mjedis të qetë dhe të sigurt në Kosovë. Sekretari Stoltenberg, ndër të tjera, përgëzoi kryeministrin Kurti për emërimin e Armend Mehajt, ministër të Mbrojtjes, duke shprehur besimin në përvojën e tij në lidership si dhe karrierën e tij profesionale ushtarake. Duke biseduar për Forcën e Sigurisë së Kosovës, kryeministri theksoi punën dhe angazhimin e vazhdueshëm për avancimin e FSK-së në një ushtri moderne, në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Ai shprehu gatishmërinë e FSK-së për zgjerimin e partneritetit me NATO-n, për t’i kontribuar paqes dhe sigurisë në nivel ndërkombëtar.

Nga ana e tij, ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj , ka njoftuar sekretarin Stoltenberg me të arriturat e gjithmbarshme të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së si dhe me objektivat e tij në funksion të zhvillimit dhe avancimit të FSK-së në përputhje me planin e tranzicionit.

This site uses cookies to offer you a better browsing experience. By browsing this website, you agree to our use of cookies.