Republika e Kosovës dhe Polonia, aleatë të paqes

Në vazhdën e takimeve me përfaqësuesit e shteteve pjesëmarrëse në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Halifax të Kanadasë, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj së bashku me zv.komandantin e FSK-së, gjeneralmajor Enver Cikaqin, takuan shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Polonisë, gjeneral Rajmund T. Andrzejczak.
Me këtë rast, ata biseduan rreth çështjeve aktuale të sigurisë, ndikimit që në këtë mes ka agresioni rus ndaj Ukrainës, dhe po ashtu për rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve tona në nivel ushtarak.
Ky bashkëpunim synohet të realizohet përmes trajnimeve të përbashkëta të dy ushtrive dhe bashkëpunimit në fusha të tjera, të cilat së shpejti do t’i definohen përmes nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet shteteve tona.
Gjithashtu, Ministri Mehaj e njoftoi Gjeneralin Andrzejczak për gatishmërinë tonë për ofrimin e kapaciteteve tona trajnuese të trupave ukrainase dhe polake në fushën e deminimit, të kërkim-shpëtimit, dhe po ashtu gatishmërinë tonë që të dërgojmë trupa të specializuar në fushën e shëndetësisë, për të mbështetur Poloninë dhe refugjatët ukrainasë, që aktualisht janë të strehuar në këtë shtet.
Meqenëse jemi në proces të përgatitjeve si vend nikoqir i ushtrimit fushor, “Defender 2023”, Ministri Mehaj ftoi Gjeneralin Andrzejczak që Polonia të jetë pjesëmarrëse në cilësinë e vëzhguesit dhe të njoftohet nga afër për kapacitetet profesionale dhe operacionale të FSK-së.
” Synimi ynë i përbashkët është mbrojtja e paqes dhe stabiliteti ne vend, rajon dhe më gjerë. Rruga jonë është e qartë, anëtarësimi në NATO dhe BE.” theksoi në fund Ministri Mehaj.
 
This site uses cookies to offer you a better browsing experience. By browsing this website, you agree to our use of cookies.