Në mjediset e kazermës “Adem Jashari” në Prishtinë, më 25 nëntor 2019, nga kadetët e Qendrës për Studime Universitare dhe organizata joqeveritare “Autizmi”, u zhvilluan aktivitet të përbashkëta për fëmijët me aftësi të kufizuar.
Kadetët e QSU-së argëtuan fëmijët me aktivitete të ndryshme, si zgjidhja e enigmave, pikturimi, demonstrimi i pajisjeve, aktivitete sportive, muzikë etj. Gjithashtu në këto aktivitete morën pjesë edhe një grup studentësh nga Universiteti Amerikan në Kosovë (AUK – RIT Kosova).
Përgjegjës për planifikimin dhe realizim të këtyre aktiviteteve, nga QSU, ishin kadetët Arbenita Haxholli dhe Adin Music, nga OJQ “Autizmi” ishte znjsh. Sunita Kurti dhe nga AUK ishte profesoresha dr. Rachel McGinnis. Aktivitetet u përmbyllën me një drekë të përbashkët në kuzhinën e kazermës “Adem Jashari”, ku edhe u shkëmbyen dhurata.
Në fund, të gjithë pjesëmarrësit shprehën mirënjohjen e tyre për mikpritjen e ofruar nga Forca e Sigurisë së Kosovës. QSU në shenjë falënderimi për vizitën e fëmijëve të kësaj shoqate ua dhuroi atyre Flamurin e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes.
Aktivitete të tilla realizohen nga QSU-ja me qëllim të përkrahjes së komunitetit dhe ngritjes së aftësive udhëheqëse dhe socializuese të kadetëve. Në të ardhmen këto aktivitet do të zgjerohen edhe në fusha të tjera, në mënyrë që kadetët e FSK-së të jenë sa më afër qytetarëve dhe nevojave të tyre.