Pjesëtarët e FSK-së pjesë e trajnimit për eliminimin e mjeteve eksplozive të pashpërthyera

Në Qendrën Stërvitore të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë ( FARSH ) përfundoi Kursi për eliminimin e mjeteve eksplozive të pashpërthyera ( Explosive Ordance Disposal) niveli i II-të, ku përveç pjesëtarëve të FARSH-it morën pjesë edhe 5 pjesëtarë të Kompanisë së Deminimit të Forcës së Sigurisë të Kosovës ( FSK), dy prej të cilëve ishin në cilësinë e instruktorëve, ndërsa tre të tjerë kursantë.
Në këtë ceremoni të pranishëm ishin shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH-së, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, komandanti i Komandës Mbështetëse, gjeneral brigade Ndriçim Sallaku, atasheu ushtarak i Kosovës, kolonel Bashkim Shillova, atasheu ushtarak i Shteteve të Bashkuara të Amerikës i akredituar në Shqipëri, kapiten i rangut II James Hilton, drejtorë të drejtorive në SHP, si dhe komandantë të strukturave vartëse.
Kursi u realizua në periudhën kohore prej 16 shtatorit deri më 11 tetor 2019. Në ceremoninë përmbyllëse të kursit, para të gjithë mysafirëve kursantët demonstruan asgjësimin e një pakoje të improvizuar me mjete eksplozive (Improvised Explosive Device), si dhe heqjen nga një djegore të një predhe 152 milimetrash.
Instruktori nga FSK-ja, tetar Roland Reshitaj, shprehet se ndihet mjaft i privilegjuar që është instruktor i kursantëve që janë pjesë e NATO-s. “Për mua është privilegj dhe përgjegjësi të jem i angazhuar si instruktor i kursantëve në një trajnim të këtij niveli profesional me pjesëtarë të NATO-së, të cilët bartin shumë eksperienca në misione të shumta si jashtë shtetit ashtu edhe në detyra të tjera brenda vendit. Edhe ne u munduam që të japim sa më shumë nga eksperiencat tona, që rreziku në detyra reale të reduktohet maksimalisht”.
Në përfundim të ceremonisë, për të gjithë kursantët që ishin pjesë e këtij kursi, u ndanë certifikata.

This site uses cookies to offer you a better browsing experience. By browsing this website, you agree to our use of cookies.