Pjesëtarë të FSK-së certifikohen në trajnimin „Komando dhe Bjeshkatari“

Në Kazermën „Ushtarët e Natos“ të Batalionit të Dytë të Reagimit të Shpejtë në Istog, dje u mbajt ceremonia e certifikimit të 25 pjesëtarëve të Bat-2, të Kompanisë K2A, K 2B, K2C dhe K2MB të cilët përfunduan trajnimin „Komando dhe Bjeshkatari“ nga data: 16.09.2019 – 11.11.2019, realizuar nga instruktorë të Ekipit Trajnues Turk.
Trajnimi përfshinte pjesën teorike dhe atë praktike, dhe u realizua në dy faza: Faza e parë e trajnimit ishte „Komando“, ku, për qëllim kishte avancimin e shkathtësive për detyra individuale dhe kolektive në zhvillimin e operacioneve luftarake dhe zhvillimin e aftësive për reagim në situata të paparashikueshme, kurse faza e dytë ishte „Bjeshkatari“, ku pjesëtarët u përgatiten që të veprojnë në kushte të ndryshme të terrenit dhe avancimin e shkathtësive për operim në vendet kodrinore – malore.
Programi i trajnimit „Komando dhe Bjeshkatari“ përfshinë temat e navigimit tokësor ditën dhe natën, kalimin e poligonit të kalitjes, taktikat e qitjes me avancim individual në qifte, me skuadër dhe me togë, lëvizjet taktike (individuale, ekip, skuadër dhe togë, kërkim dhe kordon), repelimi nga vende kodrinore-malore dhe aktivitete sfiduese fizike, përfshirë marshime të vazhdueshme në distanca të gjata dhe vrapim me pajisje ushtarake deri në 27 km.
Në ceremoninë e certifikimit të pranishëm ishin: Zëvendëskomandanti i FSK-së, gjeneral majori Enver Cikaçi, komandanti i BRSH-së, gjeneral brigade Fadil Hadergjonaj, komandanti i Batalionit të Dytë, nënkolonel Astrit Haliti, nga KFOR-i Turk prezent ishte koloneli Numan Bash, atasheu ushtarak i Turqisë në Kosovë, Ismajl Gjenkeri dhe këshilltari i KOMFSK Erhan Bahtir.
Zëvendës komandanti i FSK-së, gjenerali Enver Cikaqi, pasi falënderoi ekipin trajnues turk për kontributin e dhënë në realizimin e objektivave gjatë trajnimit, foli edhe për rëndësinë e arritjes së objektivave trajnuese të këtij trajnimi si dhe përgëzoi pjesëtarët e FSK-së, për sukseset e arritura.
Ndërsa, komandanti i BRSH-së, gjenerali Fadil Hadergjonaj përgëzoi KOMBAT-2, për të arriturat e vazhdueshme të BAT-2, dhe punën e palodhshme, si dhe falënderoi ekipin trajnues nga Turqia, për kontributin e dhënë në trajnimin e pjesëtarëve të BRSH-së dhe të FSK-së.
Trajnimet e tilla sfiduese po tregojnë që pjesëtarët e FSK-së janë të përgatitur si profesionalisht, dhe kanë kapacitete që të zhvillojnë operacione për të ju dalë në ndihmë të gjithë qytetarëve të Kosovës.

This site uses cookies to offer you a better browsing experience. By browsing this website, you agree to our use of cookies.