Përurohet ura mobile „Mabey Johnson“ e ndërtuar nga FSK-ja

Sot, në fshatin Hajnoc të Komunës së Kamenicës, u përuruar ura mobile e ndërtuar nga Forca e Sigurisë së Kosovës, pas shembjes së urës së vjetër si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut. Në ceremoninë e përurimit të urës „Mabey Johnson“ morën pjesë: ministri në detyrë i Mbrojtjes z. Anton Quni, zëvendëskomandanti i FSK-së gjeneral major Enver Cikaqi, kryetari i Komunës së Kamenicës z. Qëndron Kastrati, përfaqësues të KFOR-it amerikan, përfaqësues të Ministrisë së Infrastrukturës dhe oficerë të Xhenios të FSK-së. Shiritin e përurimit të urës e prenë ministri në detyrë z. Anton Quni, kryetari i Kamenicës z. Qëndron Kastrati dhe zv. komandanti i FSK-së, gjenerali Enver Cikaqi. Me këtë rast, ministri në detyrë z. Quni u shpreh se kjo ngjarje pasqyron vlerat që personifikojnë ushtarët e FSK-së, vlerën e humanizmit dhe solidaritetit me qytetarët. Ministri Quni, më tej tha: „Profesionalizmi, efikasiteti dhe zelli i secilit pjesëtar të ekipit të inxhinierëve, në kuadër të Regjimentit të Xhenios të FSK-së, rezultoi me përmbushjen e këtyre detyrave në afat rekord, pavarësisht kushteve të vështira klimatike, për të përmbushur njëkohësisht parimet kushtetuese dhe ligjore – mbështetjen ushtarake të autoriteteve civile.” Ai, gjithashtu shtoi se: „Puna e palodhshme e radhit FSK-në në vendin e parë, në mesin e institucioneve shtetërore, të vlerësuar nga qytetarët; si institucioni më i besueshëm. Disiplina dhe kultura institucionale e kultivuar me standardet më të larta ushtarake, kanë bërë që Kosova të konsiderohet një faktor i rëndësishëm për paqen dhe sigurinë në nivel ndërkombëtar. Edhe pak ditë na ndajnë, kur trupat tanë do t’i bashkohen ushtrisë amerikane për të kontribuar në misionin e parë historik paqeruajtës ndërkombëtar”.Ministri Quni po ashtu falënderoi autoritetet komunale dhe Ministrinë e Infrastrukturës, të cilat së bashku kontribuuan në rikthimin e normalitetit dhe lehtësimin e qarkullimit të lëvizjes si një domosdoshmëri për secilin.Ndërsa, zëvendëskomandanti i FSK-së, gjeneral major Enver Cikaqi, ka përgëzuar xhenierët e FSK-së për punën dhe angazhimin në ndërtimin e kësaj ure, e cila ka rëndësi të madhe për komunitetet që jetojnë në këtë vend. Ai, theksoi se „FSK-ja ka kapacitete për mbështetjen e autoriteteve civile dhe këtë e ka dëshmuar gjatë vërshimeve të fundit të angazhuara në njësinë e kërkim-shpëtimit në dhjetëra raste në të gjithë Kosovën“. Kryetari i Kamenicës, z. Qëndron Kastrati, pasi falënderoi ministrin Quni, zv. komandantin Cikaqi dhe FSK-në, për ndërtimin e shpejtë të kësaj ure, tha se „sot është një ditë e veçantë – kur po e inaugurojmë këtë urë të ndërtuar nga FSK-ja. Si gjithherë operacionet e FSK-së na bëjnë krenar. Këtë herë edhe më shumë, sepse reaguan ndaj një fatkeqësive natyror me shpejtësi për të rikthyer komunikimin e fshatrave; fëmijëve, pleqve, të sëmurëve e të gjithëve pa dallim. Z. Kastrati në emër të Komunës në shenjë mirënjohjeje dhe falënderimi ndau Mirënjohje për FSK-në. Xhenierët e FSK-së këtë urë e ngritën për 9 ditë pune, edhe pse ngritja e saj ishte planifikuar për 14 ditë pune. Ura „Mabey Johnson“ ka një gjatësi prej 36.58 metra dhe gjerësi 4.5 metra, me kapacitet të peshës prej 40-80 ton. Kjo urë ka rëndësi të madhe për banorët e kësaj ane pasi lidhë 11 fshatra.

This site uses cookies to offer you a better browsing experience. By browsing this website, you agree to our use of cookies.