Përfundoi ushtrimi në vendkomandë „Silver Sabre 2019-02“

Me qëllim të ngritjes së bashkëpunimit dhe bashkërendimit me KFOR-in, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) nga data 24 deri më 26 shtator 2019 ishte pjesë e ushtrimit në vendkomandë „Silver Sabre 2019-02“. Këtë ushtrim KFOR-i e ka realizuar përreth 56 orë pandërprerë në dy vendbazime: në kampin e KFOR-it në Film City dhe në qendrën 112 të AME në Hajvali. Pjesë e realizimit të këtij ushtrimi ishin disa partnerë vendorë dhe ndërkombëtarë: Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), Policia e Kosovës (PK), Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave (AME), Këshilli i Sigurisë Kombëtare (KSK), NALT-i, KFOR-i dhe EULEX-i.Në DIV-Day-in e këtij ushtrimi të pranishëm ishin edhe gjeneralët e FSK-së; komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes (KDS) gjeneral brigade Irfete Spahiu dhe komandanti i Brigadës së Reagimit të Shpejtë (BRSH) gjeneral brigade Fadil Hadergjonaj. Të gjithë të pranishmit, në ditën përfundimtare të ushtrimit, nga përgjegjësit e ushtrimit përmes takimeve të shkurtra informues (brifingjeve) u njohën me mbarëvajtjen e ushtrimit. FSK-ja në këtë ushtrim të përbashkët mori pjesë me mbi 20 pjesëtarë, që nga faza fillestare e deri në ditën e ekzekutimit të këtij ushtrimi, me qëllim të demonstrimit të aftësive të veprimit në një mjedis shumëkombësh dhe të shkëmbimit të përvojave me institucionet tjera. Roli i pjesëtarëve të FSK-së në ushtrimin „Silver Sabre 2019-02“, ishte zhvillimi i operacioneve të simuluara të kërkim-shpëtimit në ujëra, deminim, MKAB dhe xhenio.

This site uses cookies to offer you a better browsing experience. By browsing this website, you agree to our use of cookies.