Oficerë të lartë të FSK-së ligjërojnë në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike

Me ftesë të dekanit të Fakultetit të Sigurisë Publike të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, Prof. Asoc. Dr. Bejtush Gashi, më datat 19 dhe 20 dhjetor 2019, oficerët e lartë të FSK-së, kolonelët Sefer Isufi dhe Ejup Maqedonci, mbajtën ligjërata veç e veç, para studentëve të Fakultetit të Sigurisë Publike në Vushtrri.Koloneli Sefer Isufi, zëvendësdrejtor i Zyrës për Marrëdhënie me Publikun në Ministri të Mbrojtjes, ligjëroi temën: „Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës në procesin dhe perspektivën zhvillimore“. Kolonel Isufi trajtoi në mënyrë kronologjike; bazën legjislative të zhvillimit të Ministrisë dhe Forcës në periudhën para dhe gjatë tranzicionit në mision të ri; politikat, bazën konceptuale dhe strategjike të Ministrisë dhe atë doktrinare të Forcës, procesin e tranzicionit, aftësitë dhe kapacitetet aktuale operacionale të Forcës, shkollimin dhe trajnimin brenda dhe jashtë vendit, bashkëpunimin dhe përfaqësimin ndërkombëtar, nivelin e modernizimit, ushtrimet dhe operacionet brenda dhe jashtë vendit, si dhe vizionin për të ardhmen. Kurse, koloneli Ejup Maqedonci, para studentëve të vitit të tretë të këtij fakulteti, ligjëroi temën: „Roli i Forcës së Sigurisë të Kosovës në Operacionet për Menaxhimin e Krizave“. Fokusi i ligjëratës ka qene prezantimi i misionit dhe detyrave të reja të FSK-së, roli i FSK-së në përballje me katastrofat natyrore në nivel kombëtar si dhe njoftimi me procesin e vendimmarrjes ushtarake në FSK. Ligjëratat e kolonelëve Isufi dhe Maqedonci në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, u përcollën me interesim të madh nga studentët, gjë që u vërejt edhe nga pyetjet e tyre të shumta, të cilat ndikuan që të rritet edhe më shumë cilësia e këtyre ligjëratave. Ndërkaq stafi akademik i AKSP-së falënderoi dhe përgëzoi FSK-në për të arriturat e saj dhe në veçanti falënderoi kolonelët e FSK-së për këto leksione kaq cilësore.

This site uses cookies to offer you a better browsing experience. By browsing this website, you agree to our use of cookies.