Nënshkruhet marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet FSK-së dhe SHSKUK-së

Në mjediset e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, sot drejtori i përgjithshëm i Qendrës Mjekësore të Forcës së Sigurisë së Kosovës ( QMFSK) Dr. Shkëlzen Sylaj u takua me drejtorin e përgjithshëm të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) dr. Basri Sejdiu, me të cilën nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi. Qëllimi i nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje është bashkëpunimi i palëve lidhur me funksionalizimin e shërbimeve specialistike në Qendrën Mjekësore të FSK-së, për një periudhë një (1) vjeçare sipas kushteve të parapara në këtë marrëveshje.Në këtë ceremoni i pranishëm ishte edhe zëvendëskomandanti i Forcës së Sigurisë të Kosovës gjeneral major Enver Cikaqi, i cili i në emër të tij dhe të komandantit të FSK-së e falënderoi drejtorin Sejdiu për këtë vullnet të mirë për nënshkrimin e kësaj marrëveshje mjaft të rëndësishme “ Ky memorandum është mjaft i rëndësishëm për ne pasi që vjen pikërisht në kohën kur jemi në një fazën e ngritjes se kapaciteteve dhe standardeve të FSK-së”.Drejtori i SHSKUK-së dr. Sejdiu u shpreh i kënaqur me arritjen e kësaj marrëveshjeje në ndihmë të ushtrisë sonë, siç u shpreh ai, e cila është gjithmonë në shërbim të vendit.

Ndërsa drejtori i QMFSK dr. Sylaj ishte falënderues ndaj SHSKUK-së për gatishmërinë e tyre të pa rezervë në përkrahje të pjesëtarëve të FSK-së, ku mjekë specialistë dhe teknikë profesionalë nga klinikat universitare dhe spitalet rajonale do të ofrojnë shërbime specialistike për të gjithë pjesëtarët, të cilët janë gjithmonë të gatshëm t ‘i zbatojnë detyrat e tyre në ndihmë të vendit tonë. Motoja jonë është “Ushtari i shëndosh në mbrojtje të Atdheut” prandaj ne do të kemi një vëmendje të veçantë për shëndetin e secilit ushtar që shërben në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Kjo marrëveshje ka për qëllim përkrahjen dhe funksionalizimin e Qendrës Mjekësore të FSK – së, në shërbim të pjesëtarëve të FSK – së, që njëherazi është edhe një hap i rëndësishëm në kuadër të Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit të FSK – së.

This site uses cookies to offer you a better browsing experience. By browsing this website, you agree to our use of cookies.