Në Mistrinë e Mbrojtjes mbahet „Forumi i nënoficerëve të lartë“

Në Ministrinë e Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, u mbajt „Forumi i nënoficerëve të lartë“, në të cilin morën pjesë mbi 40 nënoficerë të lartë të FSK-së, SHBA-ve, KFOR-it, NALT-it dhe vendeve të tjera partnere të FSK-së.
Qëllimi i këtij forumi ishte që të ndahen përvojat me partnerët ndërkombëtarë duke pasur në fokus rritjen dhe zhvillimin e trupës së nënoficerëve në përgjithësi. Ky forum ishe i organizuar në formën e diskutimit të hapur, ku të gjithë të pranishmit patën rastin të diskutojnë lidhur me arritjet në vendet e tyre, por edhe për sfidat me të cilat ata përballen.
Komandanti i Forcës së Sigurisë të Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama, gjatë punimeve të forumit i përshëndeti të gjithë pjesëmarrësit dhe njëherësh i falënderoi për ndihmën që shtetet e tyre kanë dhënë për FSK-në, në veçanti falënderoi NATO-n, KFOR-in, SHBA-të dhe të gjitha shtetet aleate.
Gjenerali Rrahman Rama, gjatë fjalës së tij tematike, veç tjerash tha: „Falë angazhimit, përkushtimit dhe përkrahjes së partnerëve tanë, si FSK jemi shumë krenarë me të gjitha të arriturat, këtu hyjnë edhe të arriturat e Korit të nënoficerëve i cili vazhdon të mbetet prioritet për ne. Jemi ushtria më e re në botë dhe kemi mësuar nga të gjithë Ju. Eksperiencat që do t’i ndajmë në këtë Forum janë shumë të rëndësishme për ne“.
Më tej, komandanti i FSK-së, gjeneral Rama, foli edhe për zhvillimet e përgjithshme të FSK-së, duke nënvizuar të ardhmen e saj. „Orientimi ynë është shumë i qartë – integrimi në Aleancën Euro-Atlantike. Ne, gjithçka që kemi ndërtuar në Forcën e Sigurisë së Kosovës, e kemi ndërtuar në bazë të standardeve të NATO-s.“
Gjithashtu, komandanti i FSK-së foli edhe për gatishmërinë e FSK-së për pjesëmarrje në misione ndërkombëtare kudo në botë. „Ne jemi të gatshëm të japim kontributin tonë krah për krah me partnerët tanë kudo që e kërkon nevoja për paqe në Botë“.
Ndërsa, rreshter majori i parë i FSK-së, Genc Metaj, pasi përshëndeti oficerët e lartë pjesëmarrës nga Kanadaja, SHBA-të, Sllovenia, Hungaria, Zvicra, Norvegjia, Austria, Irlanda, Italia etj., prezantoi sistemin e edukimit dhe të arriturat e përgjithshme të FSK-së.
Mysafir nderi i këtij forumi ishte rreshter majori Alain Guimond nga Kanadaja, i cili mbajti një ligjëratë me temën: „Sistemi i edukimit, karriera dhe autoriteti i NOF“.
Në Forum gjithashtu ligjëruan edhe rreshter majori i Komandës së KFOR-it, Davide Campisi dhe rreshter majori i NALT-it, (Ekipi Këshillues Ndërlidhës i NATO-s në FSK) Janez Smid.
Në fund të forumit u tha se rezultatet dhe përvojat e këmbyera gjatë punës së forumit janë të rëndësishme në misionet ndërkombëtare, ku kërkohet bashkëveprim dhe bashkërendim ndërmjet ushtarëve dhe ushtrive aleate.

This site uses cookies to offer you a better browsing experience. By browsing this website, you agree to our use of cookies.