Në Ministrinë e Mbrojtjes u mbajtë ceremonia e transferimit të autoritetit të Drejtorit të NALT-it

Në Ministrinë e Mbrojtjes, sot u mbajtë  ceremonia e transferimit të autoritetit të Drejtorit të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-së, respektivisht drejtorit në shkuarje, Gjeneral Jörg Rüter te drejtori në ardhje i NALT-it, Gjeneral Joachim Hoppe.

Enkas për këtë ceremoni, e pranishme ishte edhe Shefja e Operacioneve Aktuale në Divizionin e Operacioneve të Shtabit të Përgjithshëm të NATO-s, Znj. Ariella Viehe, autoritet ky të cilit i subordinohet NALT-i.

Me këtë rast, të pranishmëve të shumtë vendor dhe ndërkombëtar, me fjalime u adresuan Znj. Viehe, Ministri Mehaj, Gjeneral Rüter dhe Gjeneral Hoppe.

Sikur Znj. Viehe edhe Ministri Mehaj, vlerësuan lart lidershipin e Gjeneral Rüter, gjatë mandatit të tij, në cilësi të Drejtorit të NALT-it.

Ministri Mehaj theksoi konkretisht rezultatet e arritura në fusha të ndryshme në funksion të ndërtimit dhe zhvillimit të vazhdueshëm të kapaciteteve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.

Nga ana e tij Gjeneral Rüter, shprehu përshtypjet më të mira për të arriturat e deritashme të Ministrisë dhe FSK-së, nivelin e lartë të bashkëpunimit të tij me Ministrin Mehaj dhe Gjeneral Jasharin,  si dhe gjithë stafin të tij me autoritetet tjera vendore.

Në vazhdim, Znj. Viehe, Ministri Mehaj dhe Gjeneral Jashari i ndanë medaljet  e tyre zyrtare Gjeneralit Rüter, me motivacionin më të lartë për shërbimin e shquar , lidershipin profesional dhe angazhimin vetëmohues.

Pas programit artistik me pika të zgjedhura muzikore nga Orkestra Frymore e FSK-së, u mbajte edhe akti ceremonial i transferimit të autoritetit në mes dy gjeneralëve.

Në fund, pas pranimit të autoritetit, të pranishmëve iu adresua, Gjeneral Hoppe, i cili shprehu gatishmërinë e tij dhe vullnetin e plotë, për të vazhduar sukseset e pararendësit të tij.

Gjithashtu, ai theksoi se bashkëpunimi dhe koordinimi i mirë dhe sistematik në mes ekipit të tij dhe autoriteteve të Ministrisë dhe FSK-së do të jenë prioriteti kryesor gjatë mandatit të tij.

This site uses cookies to offer you a better browsing experience. By browsing this website, you agree to our use of cookies.