Në Ministri të Mbrojtjes mbahet konferenca me gazetarë në prag të përfundimit të vitit 2019

Në Ministrinë e Mbrojtjes sot u mbajt takim me gazetarë dhe përfaqësues të mediave, të cilët kanë përcjellë aktivitet e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë të Kosovës, gjatë vitit 2019. Në takimin ishin prezentë: Ministri Rrustem Berisha, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama dhe stafi civil i ministrisë dhe ushtarakë i FSK-së.Ministri i Mbrojtjes, z. Rrustem Berisha në adresimin e tij fillimisht falënderoi mediat për informimin e qytetarëve dhe pasqyrimin e drejtë të aktiviteteve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të FSK-së gjatë vitit që po lëmë pas. Ai theksoi se kjo konferencë ka një rëndësi të veçantë, sepse në cilësinë e Ministrit të Mbrojtjes, po u drejtohet mediave në njëvjetorin e tranzicionit të FSK-së me mandate ushtarak. Më tej Ministri numëroi disa nga të arriturat kryesore gjatë këtij viti, ku përfshihen realizimi i plotë i objektivave të parapara gjatë vitit të parë të Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit të FSK-së; avancimi i kapaciteteve operative; implementimi i strukturës së re organizative të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të FSK-së. Qytetarët kanë pasur rast t’i shohin njësitë e FSK-së sipas strukturës së re, me emblema dhe flamuj të rinj, gjatë rreshtimit në kuadrate në Ditën e Forcës 27 nëntor 2019.Ministri i Mbrojtjes gjithashtu njoftoi gazetarët se gjatë kësaj periudhe, njësive të FSK-së i janë shtuar edhe 900 pjesëtarë të rinj. Me rekrutimet e fundit, është rritur numri i pjesëtarëve të gjinisë femërore (11%) dhe pjesëtarëve të komuniteteve jo shumicë (rreth 10%) në strukturat e FSK-së.Ministri iu referua edhe sondazhit të fundit rreth besueshmërisë së institucioneve të Republikës së Kosovës gjatë vitit 2019. Ky sondazh, edhe këtë vit, e ka nxjerr FSK-në si institucionin më të besueshëm, me rritje në përqindjen e besueshmërisë krahasuar me vitin e kaluar. Është rritur edhe besueshmëria në FSK nga komuniteti serb në 12%. Kjo, sipas Ministrit Berisha, është falë punës së të gjithë ushtarëve, nënoficerëve dhe oficerëve të FSK-së si dhe shërbyesve civilë të Ministrisë së Mbrojtjes.Ministri Berisha ritheksoi se një nga objektivat strategjikë të Republikës së Kosovës është anëtarësimi në NATO. Në këtë frymë, Republika e Kosovës ka raporte veçanërisht të mira me shtetet fqinje anëtare të NATO-s dhe ato që synojnë anëtarësimin në këtë organizatë. Ndërsa, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, pasi përshëndeti gazetarët tha: Po e përmbyllim vitin e parë si ushtri e vendit me suksese të mëdha në të gjitha fushat. Ne, falë bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë dhe angazhimit të pjesëtarëve të FSK-së, i kemi përmbushur të gjitha objektivat e planifikuara të FSK-së. Synimi ynë mbetet avancimi i ndërveprueshmërisë me forcat anëtare dhe partnere të NATO-s, si dhe pjesëmarrja jonë në operacionet paqeruajtëse të NATO-s, për të dhënë kontributin e përgjithshëm për paqe, siguri dhe stabilitet në rajon dhe më gjerë.

Në fund, komandanti i FSK-së, duke i falënderuar gazetarët, tha se transparenca jonë dhe pasqyrimi juaj profesional ka mundësuar që publiku dhe qytetarët e vendit në përgjithësi të informohen në mënyrë korrekte. Kjo ka rezultuar me vlerësimin, për të tetin vit me radhë të FSK-së, si institucioni më i besueshëm i sigurisë në vend.

Të bashkëngjitur gjeni video linkun. https://www.facebook.com/OfficialMFSRKS/videos/2470029373214448/

This site uses cookies to offer you a better browsing experience. By browsing this website, you agree to our use of cookies.