Në Kolegjin e Shtabit dhe Komandës të Ushtrisë Amerikane diplomuan me sukses të lartë dy oficerët e FSK-së

Pas studimeve intenzive dhe sfiduese, në Kolegjin e Shtabit dhe Komandës së Ushtrisë së SHBA-së (US Command and General Staff College- CGSC), në degën evropiane të saj në Grafenwoeher të Gjermanisë, me sukses të lartë diplomuan, oficerët e FSK-së, major Vegim Krelani dhe major Jaser Mulla. Lidhur me performancën gjatë studimeve dhe suksesin e arritur të dy oficerëve të FSK-së, shef i Edukimit në detashmentin e 7-të të Kolegjit, nënkolonel Christopher Mackin, shprehë vlerësimin shumë të lartë për ta duke theksuar se, major Mulla dhe major Krelani, tani më kanë caktuar një standard të lartë të përsosmërisë akademike dhe të pjesëmarrjes së fuqishme interaktive gjatë temave studimore. Ai gjithashtu nënvizoi se, pjesëmarrja e Kosovës në degën evropiane të CGSC-së është historike sepse është për herë të parë si dhe dy oficerët e saj janë më të mirët në radhët e studentëve ndërkombëtar. Diplomimi i major Krelanit dhe major Mullës, shtonë kuadrin e oficerëve me kompetencë profesionale dhe akademike të fituar në institucion akademik ushtarak shumë prestigjioz të SHBA-së. Këto kuadro dhe njohuritë e tyre janë aset shumë i çmuar në kohën kur jemi në proceset shumë të rëndësishme të tranzicionit të FSK-së dhe shumë të nevojshme në perspektivën e saj zhvillimore në përgjithësi.

Kolegji i Shtabit dhe Komandës i Ushtrisë së SHBA-ve është kolegj ushtarak post-diplomik një-vjeçar dhe shkollon oficerë ushtarakë amerikanë dhe të huaj. Ky shkollim në aspektin e edukimit profesional ushtarak konsiderohet si i domosdoshëm për oficerët e nivelit të mesëm për zhvillim të mëtutjeshëm në karrierë. Fokusi i shkollimit është në udhëheqje, histori ushtarake, planifikim ushtarak, procese të vendim-marrjes ndërsa rëndësi e veçantë i jepet mendimit kritik.

This site uses cookies to offer you a better browsing experience. By browsing this website, you agree to our use of cookies.