Në KDS u mbajt ceremonia e betimit të 257 ushtarëve të rinj të FSK-së

Ceremonia e betimit të 257 ushtarëve të rijnë  FSK-së u mbajt sot në kazermën e Komandës, Doktrinës dhe Stërvitjes së FSK-së në Ferizaj. Në këtë ceremoni betimi morën pjesë: Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa  Osmani- Sadriu, Zv. Kryeministri, Besnik Bislimi, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, Zv. ministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, Zv. Komandant i FSK-së, Gjeneral major, Enver Cikaqi, Komandant i KDS-së, Gjeneral brigade, Irfete Spahiu, drejtori i NALT, Gjeneral Joachim Hoppe, si dhe zyrtarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, gjeneralë dhe oficerë të lartë FSK-së, drejtues komunalë, familjarë etj. Në fjalën e saj drejtuar rekrutëve të rinj, Presidentja Osmani- Sadriu, theksoi se ndjehet krenare që ushtria e vendit po i shton radhët e saj me vajza dhe djem të rinj, të cilët atdhedashurinë po e transformojnë në profesionalizëm. Më tej, Presidentja e vendit theksoi se detyra e rekrutëve të rinj do të jetë me peshë të madhe dhe fisnike, ajo e mbrojtjes së atdheut. “Shpresa jonë është e varur tek ju. Synimi ynë është paqja dhe nuk duhet të lejojmë të na cenohet nga askush”, tha Presidentja Osmani-Sadriu duke shtuar se objektivi ynë është BE-ja, NATO-ja dhe organizatat tjera ndërkombëtare, të cilat e forcojnë edhe më tej subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit tonë, krahas forcimit të komponentës së mbrojtjes dhe sigurisë. Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, në fjalën e tij në këtë ceremoni, tha se Ushtria e Republikës së Kosovës po dëshmon çdo ditë që është e gatshme të marrë përgjegjësi të reja, për misione të cilat na presin në të ardhmen, së bashku me ushtritë e vendeve partnere të cilat na kanë përkrahur e ndihmuar vazhdimisht.  Më tej, Ministri Mehaj theksoi se: “Investimi në ushtri, blerjet e pajisjeve ushtarake dhe mirëqenia e ushtarëve tanë janë prioritetet tona, këto mundësojnë që të kemi forcë të përgatitur, pajisur e të trajnuar sipas standardeve të NATO-s”. Ndërsa, Komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, Gjeneral brigade, Irfete Spahiu, duke iu drejtuar ushtarëve, familjarëve dhe të pranishmëve, theksoi se 257 ushtarët e rinj kanë kaluar me sukses të plotë stërvitjen ushtarake bazë. Më pas, ajo i uroi atyre suksese në sfidat e radhës në ushtri, ndërkaq familjarët e tyre i falënderoi për përkrahjen e dhënë.

 

 

This site uses cookies to offer you a better browsing experience. By browsing this website, you agree to our use of cookies.