Në Ditën e Pavarësisë, Kryeparlamentarja Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti vizituan Kazermën e FSK-së “Adem Jashari”

Me rastin e 12 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Forcën e Sigurisë së Kosovës gjegjësisht Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë e vizituan sot kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri i Republikës Kosovës, Albin Kurti. Të shoqëruar nga Komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama, ata u përcollën me nderime ushtarake të Gardës Ceremoniale të FSK-së në prani të shumë pjesëtarëve të FSK-së. Në fjalën e saj, kryeparlamentarja Osmani, vlerësoi lart angazhimin me përkushtim e profesionalizëm të lartë si dhe sakrificën me vetëmohim të pjesëtarëve të FSK-së në shërbim të sigurisë dhe mbrojtjes së vendit dhe qytetarëve të saj. Ndër të tjera ajo tha se “Të jesh ushtarak nuk është e lehtë. Rreziqet permanente e bëjnë punën tuaj jashtëzakonisht të vështirë. Si përkrahësit më të mëdhenj të paqes ju keni sakrifikuar në momentin që keni vendosur uniformën në trupin tuaj në shërbim të punës dhe luftës për të mirën e vendit tonë. Pra, vendimi i juaj për të sakrifikuar jetën tuaj në shërbim të vendit dhe qytetarëve është vendim i shenjtë”.Ndërsa, kryeministri Kurti në fjalimin e tij falënderoi të gjithë pjesëtarët e FSK-së për shërbimin ndaj vendit dhe më gjerë. Ndër të tjera, ai, duke theksuar rëndësinë e sigurisë dhe mbrojtjes së vendit, adresoi premtimin për fokusim më të madh në të ardhmen të Qeverisë së Republikës së Kosovës për FSK-në, respektivisht rritjen e buxhetit në fushën e mbrojtjes.Ndër të tjera ai tha se “Uniforma e juaj është mishërimi i sakrificës sonë kombëtare, i krenarisë dhe aspiratave qytetare e njerëzore. Pa ushtri e pa mbrojtje jemi të dobët, prandaj ne mburremi me shërbimin tuaj dhe qëllimin tuaj fisnik. Nevoja për të mësuar nga disiplina e ushtarit, nga puna dhe dashuria e madhe për t’i shërbyer vendit janë ato që na shtyjnë që të bëjmë shërbimin ushtarak të obliguar pasi që përvojat dhe mësimet e fituara gjatë shërbimit ushtarak na duhen për t’u përballur edhe me betejat e paqes”.

Në këtë ceremoni festive përveç autoriteteve më të larta të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së të prirë nga Ministri i Mbrojtjes Anton Quni dhe Komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama si nikoqir, morën pjesë edhe autoritete tjera qeveritare, ambasadorë e ushtarakë të vendeve mike, personalitete e përfaqësues të institucioneve vendore e ndërkombëtare.

This site uses cookies to offer you a better browsing experience. By browsing this website, you agree to our use of cookies.