Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, priti sot në takim vajzën e profesorit të nderuar, veprimtarit të çështjes kombëtare, etnografit, folkloristit dhe udhëheqësit të Pajtimeve të Gjaqeve, z. Anton Çettës, znj. Donika Çetta dhe profesor Riza Krasniqin, bashkëpunëtor dhe bashkëveprimtar i pajtimeve të gjaqeve me profesor Anton Çettën.
Ministri Quni, me këtë rast ka vlerësuar lartë kontributin dhënë çështjes kombëtare të profesorit të nderuar Anton Çetta, si dhe familjes së tij, duke shtuar, se: „Profesori Anton Çetta ishte studiues i kulturës popullore dhe kombëtare, ishte njëri ndër intelektualët dhe folkloristët më të shquar si punonjës shkencor i Institutit Albanologjik të Prishtinës, duke dhënë një kontribut të madh edhe në pajtimin e gjaqeve në Kosovë“. Nga ana e saj, znj. Donika Çetta, e ka falënderuar ministrin Quni, për angazhimin e madh që po bënë në ngritjen e Ushtrisë së Kosovës, dhe në shenjë mirënjohje i dhuroi Kompletin e veprave letrare (13 vëllime) të babait të saj.