Ministri Quni priti ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott

Ministri i Mbrojtjes Anton Quni, priti sot ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, z. Nicholas Abbott. Duke i uruar mirëseardhje, Ministri Quni shprehu falënderimin për Mbretërinë e Bashkuar në mbështetjen e ofruar deri më tani në ndërtimin, zhvillimin dhe avancimin e gjithmbarshëm të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së. Ministri Quni theksoi se mbështetja e deritashme në fushën e arsimimit dhe stërvitjes si dhe forma tjera e ofruar nga Mbretëria e Bashkuar ka qenë shumë e rëndësishme në ndërtimin, zhvillimin dhe avancimin e kuadrove profesionale dhe ndikim të lartë në realizimin e aftësive dhe kapaciteteve operacionale të ndërveprueshme me forcat aleate të vendeve partnere dhe anëtare të NATO-së siç është edhe vet Mbretëria e Bashkuar. Ministri Quni e njoftoi ambasadorin Abbott edhe me procesin e implementimit të Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit, respektivisht procesin e rekrutimit të stafit ushtarak dhe civil të MM dhe FSK-së duke ritheksuar se ky proces është duke u realizuar në transparencë të plotë dhe në monitorim edhe nga organizatat tjera kredibile.

Ai shprehu interesimin për mbështetjen profesionale edhe të ekspertëve britanik për procese përkatëse për të avancuar edhe më tej Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në në institucione efektive me vlera dhe standarde të vendeve të NATO-s. Nga ana e tij, ambasadori Abbott, premtoi se Mbretëria e Bashkuar, sikur edhe deri më tash, do të vazhdojë partneritetin me Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në në mënyrë që të përmbushë me sukses të plotë objektivat e përcaktuar, respektivisht procesin e tranzicionit sipas planit përkatës. Në fund, të dy ishin të një qëndrimi që të intensifikohet edhe më tej bashkëpunimi bilateral në mes dy vendeve mike në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

This site uses cookies to offer you a better browsing experience. By browsing this website, you agree to our use of cookies.