Ministri Quni nderon me mirënjohje post mortum Gjergj Kaçinarin dhe Sylë Zhitinë

Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, sot në vigjilje të festive të fund vitit, për kontributin e dhënë në zhvillimin dhe avancimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, nderoi me mirënjohje post mortum, kompozitorin tonë të njohur Gjergj Kaçinarin si dhe veprimtarin e çështjes kombëtare, Sylë Zhitinë. Profesor Gjergj Kaçinari, përveç si kompozitor i njohur i muzikës, filmit e teatrit, njëherit ishte ish-epror rezervë i cili themeloi dhe udhëhoqi Orkestrën e parë muzikore ushtarake të ish-Trupave të Mbrojtjes së Kosovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës. Veprimtari Sylë Zhitia, njëherit vllai i Heroit të Kombit, Afrim Zhitia, kontribuoi që nga themelimi si zyrtar në ish-Ministrinë e FSK-së dhe Ministrinë e Mbrojtjes.Me këtë rast, ministri Quni priti anëtarët e familjeve Kaçinari dhe Zhitia, duke u shprehur mirënjohjen dhe vlerësimin më të lartë për ish- bashkëpunëtorët e tij, duke u theksuar se të gjitha të arriturat e deritashme të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së janë dhe do të jenë të ndërlidhur me kontributin e çmuar të profesor Gjergjit, Sylës dhe të gjithë ish- bashkëpunëtorëve e bashkëveprimtarëve të cilët fizikisht nuk janë në mesin tonë.

Pas pranimit të mirënjohjeve, bashkëshortja e profesor Kaçinarit, Greta dhe e bija Klorinda si dhe të bijtë e veprimtarit Zhitia, Dritëroi dhe Flamuri, shprehën falënderimin për mirënjohjet, duke potencuar se ky vlerësim është respekt i veçantë për familjet e tyre si dhe shtytje për të pasuar me krenari dhe nder rrugën e trasuar të familjarëve të tyre.

This site uses cookies to offer you a better browsing experience. By browsing this website, you agree to our use of cookies.