Ministri Quni: Mbretëria e Bashkuar ndër mbështetësit tanë kryesor në procesin e tranzicionit të FSK-së

Ministri i Mbrojtjes Anton Quni priti sot në takim Këshilltarin e Transformimit të Mbrojtjes në Ballkanin Perëndimor, gjeneral brigade Johnny Bowron. Në takim, ministri Quni e njoftoi brigadierin Bowron me zhvillimet në MM dhe FSK, të arriturat gjatë procesit aktual të tranzicionit dhe sfidat e shfaqura gjatë krizë aktuale të pandemisë COVID-19. Ai, ndër të tjera shprehu falënderimin dhe mirënjohjen e thellë për rolin dhe kontributin e madh të shtetit, qeverisë dhe Forcave të Armatosura Britanike në ndërtimin dhe zhvillimin e gjithmbarshëm të vendit tonë, vet Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Sigurisë së Kosovës. Në takimin e radhës me brigadierin Bowron, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama theksoi se partneriteti me Forcat e Armatosura Britanike do të vazhdojë të jetë i fuqishëm në perspektivën tonë zhvillimore për të arritur aftësitë, kapacitetet dhe standardet më të larta operacionale.

Nga ana e tij, brigadieri Bowron shprehu vlerësimin e lartë për strategjinë e tranzicionit të MM/FSK-së si dhe të arriturat e deritashme duke shprehur mbështetjen nga autoriteti zyrtar dhe eksperienca e tij për këtë proces edhe në të ardhmen.Ministri Quni gjatë takimit shoqërohej nga këshilltari i tij ushtarak, kolonel Hamdi Pollomi dhe drejtori i Departamentit për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Integrime Euroatlantike, kolonel Hasan Hoxha.

This site uses cookies to offer you a better browsing experience. By browsing this website, you agree to our use of cookies.