Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, pritën sot në takim lamtumirës atashenë e mbrojtjes së Maqedonisë Veriore për Kosovë, kolonel Donce Kuzmanov. Me këtë rast, ministri Quni dhe gjeneral Rama shprehën falënderimin dhe mirënjohjen e thellë për angazhimin e madh diplomatik ushtarak të kolonel Kuzmanov për 10 vite me radhë në fuqizimin e bashkëpunimit në mes dy ministrive dhe forcave respektive.
Nga ana e tij,kolonel Kuzmanov, shprehu falënderimin për bashkëpunimin miqësor me lidershipin, homologun e tij dhe të gjithë akterët tjerë në bashkërendimin e duhur për të gjitha çështjet e interesit të përbashkët. Me këtë rast, kolonel Kuzmanov njoftoi se me përmbylljen e misionit diplomatik e përfundon edhe karrierën e tij ushtarake. Në shenjë mirënjohje për angazhimin e tij, ministri Quni i ndau medaljen për shërbim të shquar, kurse gjeneral Rama i ndau medaljen për shërbim vetëmohues.
Në takim mori pjesë edhe drejtori i Departamentit për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Integrime Euroatlantike, kolonel Hasan Hoxha.