Ministri Quni dhe gjeneral Rama iu adresuan mediave në konferencën e fundvitit 2020

Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, sot në konferencën e fund vitit ju adresuan mediave dhe gazetarëve të pranishëm.
Paraprakisht duke shprehur dhembjen për humbjen e bashkëpunëtorit, respektivisht oficerit të FSK-së, kolonel Gyrner Murati, si dhe ngushëllimet për familjen, kolegët dhe miqtë e tij, përmes ekspozeve të tyre ministri Quni dhe gjeneral Rama ju adresuan edhe zyrtarëve dhe nëpunëse të Ministrisë së Mbrojtjes, ushtarakëve të FSK-së, ushtarakëve dhe zyrtarëve të forcave partnere në kuadër të NALT-it dhe KFOR-it, komunitetit të shoqërisë civile, komunitetit të mediave dhe qytetarëve të vendit.Me këtë rast, ministri Quni në ekspozenë e fund vitit , prezantoi të arriturat kryesore të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së për vitin 2020 duke shprehur kënaqësinë për aktivitetet e realizuara në funksion të përmbushjes së objektivave të tij strategjik vjetor që ndikojnë fuqishëm në realizimin e planit gjithëpërfshirës të tranzicionit dhe prioriteteve të Qeverisë së Republikës së Kosovës.Nga ana e tij, gjeneral Rama, u përqendruar në të arriturat e këtij viti në shkallën e gatishmërisë dhe efikasitetin e operacioneve të njësive të FSK-së, gjatë pandemisë COVID-19 si dhe operacionet tjera në funksion të mbështetjes ushtarake të autoriteteve civile qendrore, lokale dhe qytetarëve tanë pa dallim. Në vazhdim keni Ekspozenë e fund vitit të ministrit Quni

Të dashur, nëpunës e zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes,
Ushtarë, nënoficerë, oficerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës,
Ushtarë, nënoficerë, oficerë e zyrtarë të vendeve e forcave partnere,
Të nderuar ju gazetarë e medie dhe aktivistë të shoqërisë civile,
Të dashur qytetarë të vendit tim,
Në cilësi të bashkëkombësit, bashkëluftëtarit, bashkëveprimtarit, e bashkëpunëtorit tuaj, kam nderin, privilegjin por më shumë përgjegjësinë t’u drejtohem në cilësinë e Ministrit të Mbrojtjes në prag të festave të fund vitit dhe përmbylljes së vitit të dytë të funksionimit si ushtri e vendit. Bazuar në legjislacionin dhe programin e qeverisë si dhe Planin Gjithëpërfshirës të Tranzicionit në fillim të vitit përcaktova objektivat e mi strategjik. Duke pasuar në përgjegjësi shtetërore, mikun, bashkëluftëtarin e bashkëpunëtorin tim, ish-ministrin Berisha si dhe ish-bashkëpunëtorët tjerë e pata shumë më të lehtë të vazhdojmë rrugën përpara. Përkundër përballjes me pandeminë COVID-19, respektivisht potencialit tonë të angazhuar në emergjencën shtetërore, si dhe bashkë me kufizimet e shkaktuara buxhetore, me kënaqësi mund të konstatoj se të gjitha objektivat, projektet dhe aktivitetet e planifikuara për vitin 2020, i kemi realizuar me sukses e në disa fusha edhe i kemi tejkaluar ato. Krahas obligimeve të përcaktuara në bazë të planit përkatës, me sukses arritëm të mirëmbajmë dhe avancojmë edhe më tej aftësitë dhe kapacitetet operacionale aktuale në mbështetje të autoriteteve shtetërore, civile dhe qytetarëve tanë. Bazuar në planin e tranzicionit kemi avancuar me sukses dhe tranzicionin dhe krijimin e kapaciteteve të para funksionale të mbrojtjes së territorit.

Jemi në proces të përmbylljes me sukses të plotë të rekrutimit të 400 ushtarëve të rinj duke ngritur përqindjen e përfaqësimit të komuniteteve në 8% e sidomos atë të komunitetit serb, si dhe duke ngritur përqindjen e gjinisë femërore në 11%. Ne do të vazhdojmë të jemi të hapur për të gjitha komunitetet që shprehin vullnetin të bëhen pjesë e FSK-së për të shërbyer në të mirë të vendit dhe qytetarëve. Kemi realizuar procesin e përzgjedhjes së gjeneratës 2024 të kadetëve të Qendrës së Studimeve Universitare si institucion i akredituar akademik e profesional me plan program të ngjashëm me akademitë më bashkëkohore të vendeve të NATO-së. Krahas planit të arsimimit e trajnimit brenda vendit kemi realizuar edhe shkollimet, kurset, trajnimet, stërvitjet e garat ndërkombëtare me suksese të jashtëzakonshme të pjesëtarëve dhe njësive tona pjesëmarrëse, siç kemi edhe kuadrot e para nga West Point-i i famshëm të pasuar edhe me kuadrot e reja në të dhe akademinë e forcave ajrore amerikane. Krahas vizitave, pritjeve, takimeve e kontakteve tjera zyrtare të niveleve më të larta me vendet partnere, kemi përfaqësuar Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcat tona në Konferencën e Kartës së Adriatikut, A5-SHBA, me status të anëtarit vëzhgues, ku së shpejti shpresojmë të anëtarësohemi si anëtare me të drejta e përgjegjësi të plota, si dhe për herë të parë në iniciativën e Bashkëpunimit të Mbrojtjes së Evropës Qendrore.Me sukses kemi arritur që të finalizojmë pjesën më të madhe të dokumenteve ligjore, doktrinare, administrative, dhe trajnuese për misionin e ri bazuar në ligjet tona në fuqi dhe në përputhje me konceptet, standardet dhe doktrinën ushtarake të Forcave të Armatosura të SHBA-së dhe të vendeve tjera partnere dhe anëtare të NATO-së. Objektivi tjetër yni është të ndërtojmë dhe zhvillojmë forca të ndërveprueshme me forcat e vendeve të NATO-s dhe partnere të saj duke besuar se së shpejti forcat tona do të angazhohen në operacione të përbashkëta paqeruajtëse për të ofruar kontributin tonë në të mirën e paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal dhe më gjerë. Me qëllim të modernizimit të forcave, kemi realizuar pjesën më të madhe të projekteve të blerjeve të sistemeve të pajisjeve, furnizimeve, automjeteve taktike, mjeteve e pajisjeve teknologjike e specialistike ushtarake si dhe projekteve infrastrukturore që mundësojnë ngritjen edhe më të lartë të gatishmërisë sonë operacionale dhe krijimin e kushteve sa më të volitshme për punë, edukim, trajnim , akomodim dhe rekreacion të pjesëtarëve tanë. Edhe në vitin e ardhshëm synim yni do të jetë angazhimi i fuqishëm për arritjen në afatet e planifikuara të aftësive dhe kapaciteteve të plota operacionale të FSK-së të cilat do të jenë në funksion të përmbushjes së misionit tonë kushtetues dhe detyrave e përgjegjësive tona ligjore. Rezultatet e shkëlqyera dhe sukseset tona i vlerësojmë si produkt i angazhimit të përbashkët me partnerët tanë, këshilltarët bilateral, me Ekipin Këshillëdhënës të NATO-së dhe me KFOR-in që gjithmonë ishin dhe janë me ne gjatë tërë rrugëtimit tonë. Andaj të gjithë ushtarëve, nënoficerëve dhe oficerëve të forcave e vendeve partnere iu shpreh vlerësimin më të lartë dhe mirënjohjen e thellë për angazhimin e dëshmuar që ministria dhe forca jonë të jenë edhe këtë vit, për të nëntën herë me radhë, imazhi i besueshmërisë më të lartë qytetare dhe shembulli i suksesit në kuadër të institucioneve të vendit dhe më gjerë.Në këtë moment të veçantë, edhe njëherë, shfrytëzoj rastin të falenderoj nga zemra, forcat tona dhe ushtarët e NATO-s që shërbejnë me vetmohim për sigurinë, mbrojtjen dhe kujdesin për vendin dhe qytetarët tanë. Gjithashtu falenderoj dhe shpreh respektin e thellë për familjet tuaja për sakrificat dhe mbështetjen tuaj. Zoti ju ruajt dhe ju bekoftë përgjithmonë, Juve dhe Atdheun tonë.Në fund gazetarë e media të nderuara,U falenderoj nga zemra, për kontributin tuaj shumë të qmueshëm që keni bërë gjithëherë, dhe bëtë edhe këtë vit për të pasqyruar në kohë, objektivitet, professionalizëm dhe me etikë gazetarske aktivitetet e Ministrisë si dhe aktivitetet dhe operacionet e FSK-së për publikun e gjerë.Uroj që viti që vjen të jetë edhe më i mbarë e më i suksesshëm bashkë me traditën e bashkëpunimit të plotë me Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në.

Ju faleminderit,

Anton Quni
Ministri i Mbrojtjes

This site uses cookies to offer you a better browsing experience. By browsing this website, you agree to our use of cookies.