Ministri Mehaj vizitoi Qendrën Ndërkombëtare të Trajnimit për Kërkim-Shpëtim

Në kuadër të vizitave nëpër njësitë dhe qendrat arsimore dhe profesionale të FSK-së, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, i shoqëruar nga zv.ministri i Mbrojtjes Shemsi Syla, vizitoi sot Qendrën Ndërkombëtare të Trajnimit për Kërkim-Shpëtim (QNTKSH) në Pomazatin. Në fillim ai, u prit nga komandanti i Gardës Kombëtare të FSK-së, gjeneral brigade Xhevahir Geci, për tu takuar më pas me Drejtorin e QNTKSH-së, John Doone, i cili e njoftoi me historikun, misionin, strukturën organizative, fushëveprimin, të arriturat e deritashme, personelin, pajisjet, infrastrukturën, ambientet trajnuese, aktivitetet aktuale, sfidat dhe projektet për të ardhmen.Nga ana e tij, ministri Mehaj, pas njoftimit nga afër me informacionet e përgjithshme dhe inspektimit të stacioneve trajnuese, vlerësoi lart punën e QNTKSH-së duke përgëzuar për lidershipin dhe sukseset të gjithë stafin e qendrës, e veçanërisht ish-ushtarakun me përvojë të gjatë të forcave britanike, drejtorin John Doone, duke i siguruar për mbështetje të plotë nga autoriteti i tij.Ai theksoi se kjo Qendër është aset i rëndësishëm, jo vetëm i FSK-së dhe institucioneve tjera vendore por një mundësi shumë e mirë për forcimin e bashkëpunimit bilateral dhe multilateral me ofrimin e aftësive dhe kapaciteteve tona profesionale për trajnime specialistike për operacione të kërkim-shpëtimit të pjesëtarëve nga forcat dhe institucionet tjera të sigurisë së vendeve të rajonit dhe më gjerë.Qendra Ndërkombëtare e Trajnimit për Kërkim-Shpëtim (QNTKSH) në Pomazatin vepron pranë SHP të FSK-së, e cila ka filluar punën në vitin 2016, dhe trajnon jo vetëm personelin e FSK-së, por edhe personelin e institucioneve tjera të sigurisë, si dhe OJQ të vendit tonë. Gjithashtu, në këtë qendër, deri më tash, nga fusha e kërkim-shpëtimit janë trajnuar edhe pjesëtarë nga Shqipëria, Bullgaria dhe Maqedonia Veriore.

This site uses cookies to offer you a better browsing experience. By browsing this website, you agree to our use of cookies.