Ministri Mehaj takoi Sekretarin Amerikan të Mbrojtjes, Gjeneralin Lloyd J.Austin III

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj gjatë punimeve të Forumit Ndërkombëtar të Sigurisë në Halifax takoi Sekretarin e Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjeneralin Lloyd J.Austin III.

Me këtë rast, Ministri Mehaj me Sekretarin Austin diskutuan rreth situatës aktuale gjeopolitike pas agresionit rus në Ukrainë, por edhe tendencës që ndikimi destabilizues rus të shtrihet në Ballkanin Perëndimor.

Gjithashtu, Ministri Mehaj theksoi domosdoshmërinë që Republika e Kosovës sa më parë të bëhet anëtare e NATO-s , pasi vetëm kështu Ballkanit do i shtohet një aleat i politikave evropiane, krah i aleancës dhe i ruajtjes së stabilitetit në këtë rajon që historikisht ka qenë vatër e konflikteve dhe gjithmonë në secilin rast nismëtar i konflikteve ishte po i njejti shtet.

Ndër të tjera, Ministri Mehaj theksoi se synimi të cilin e kemi vendosur për anëtarësim në NATO dhe BE do e realizojmë sepse kemi vullnetin e hekurt dhe përkushtimin maksimal që bashkë, përkrah aleatëve tanë t’i kontribuojmë ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në vend, rajon dhe më gjerë.

Nga ana e tij, Sekretari Austin, vlerësoi lartë arritjet e Republikës së Kosovës si dhe gatishmërinë e FSK-së për të ndihmuar Ukrainën përmes ofrimit të trajnimeve dhe strehimin e tyre, si dhe rikonfirmoi përkrahjen e pakursyer të ShBA-së në çdo etapë të rrugëtimit tonë si shtet për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.

 

This site uses cookies to offer you a better browsing experience. By browsing this website, you agree to our use of cookies.