Ministri Mehaj prezantoi të arriturat kryesore njëvjeçare të Ministrisë së Mbrojtjes gjatë udhëheqjes së tij

Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj sot mbajti Konferencë për Media në prezantimin e të arriturave kryesore të Ministrisë së Mbrojtjes gjatë periudhës njëvjeçare të qeverisjes së tij si Ministër i Mbrojtjes.
Me këtë rast, ai përmendi të arriturat në fushat funksionale të Ministrisë me shifra dhe fakte, si dhe reformat e përfunduara dhe ato në proces e sipër.
Më pas Ministri Mehaj u përgjigj në pyetjet e shumta të gazetarëve të pranishëm të cilët në fund i falenderoi dhe u shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin e lartë të pasqyrimit profesional dhe objektiv të të gjitha aktiviteteve të tij, Ministrisë dhe FSK-së në përgjithësi.
Në fund, Ministri Mehaj, u rikujtoi se puna mbi parimin e transparencës dhe llogaridhënies para mediave dhe qytetarëve tanë do të vazhdoj si çdoherë dhe i ftoi mediat për bashkëpunim të plotë edhe në të ardhmen.

Në vijim fjala e plotë e ministrit Mehaj:

Të nderuar përfaqësues të mediave,

Të nderuar gazetarë,

Mirë se erdhët në Ministrinë e Mbrojtjes, e cila tash është bërë shtëpi e juaja, duke pasur parasysh bashkëpunimin tonë për një vit.

Sot kisha dëshirë të jemi së bashku, pasi që është njëvjetori i qeverisjes sonë.

Edhe pse për të gjitha aktivitetet dhe punët që i kemi bërë në Ministri dhe FSK, jam munduar në maksimum të ju njoftojë juve dhe publikun në vazhdimësi, sot do të veçoj vetëm disa nga të arriturat tona më të mëdha.

Pra të arriturat tona kryesore brenda këtij viti janë:

Në fushën e ligjeve:

  • Është bërë ndryshim-plotësimi i këtyre 5 ligjeve: Ligji për dërgimin e FSK-së jashtë vendit, Ligji për deminim humanitar; Ligji për Ministrinë e Mbrojtjes; Ligji për shërbim në FSK dhe Ligji për FSK-në.
  • Është miratuar Ligji për Ratifikimin e këmbimit të notave diplomatike në lidhje me asistencën e ofruar në formë granti sipas aktit për ndihmë të jashtme të vitit 1961 dhe aktit për kontroll të shitjeve të armëve mes Republikës së Kosovës dhe SHBA-së
  • Janë hartuar dy projektligje të reja: Projektligji për Policinë Ushtarake të FSK-së dhe Projektligji për Agjencinë e Mbrojtjes për Inteligjencë dhe Siguri.
  • Gjithashtu janë rishikuar dhe plotësuar 5 rregullore në Ministrinë e Mbrojtjes.

Në burime njerëzore:

  • Kemi realizuar me sukses dy konkurse për rekrutim. Rekrutimi i parë ka qenë për gjithsej 400 ushtarë ndërsa, rekrutimi i dytë ka qenë gjithsej 840 ushtarë. Pra në total për një vit kemi rekrutuar 1240 ushtarë të rinj, që njëherit ka qenë rekrutimi i madh që ka ndodhur ndonjëherë. Gjithashtu kemi bërë përzgjedhjen e 34 kadetëve të rinj të cilët kanë filluar studimet akademike në Akademinë tonë si dhe atë të Gjermanisë, Shqipërisë, Turqisë, Kroacisë dhe Maqedonisë Veriore. Tani në bashkëpunim me autoritetet amerikane jemi në proces të përzgjedhjes së kadetëve edhe për tri akademitë ushtarake amerikane.

Burimet financiare:

  • Kemi rritur buxhetin në vlerën prej 103 milion euro për vitin 2022, vlerë kjo gati dyfish më e madhe se në vitin paraprak.

Në vitin 2021 kemi marrë buxhet shtesë nga Qeverisa e Kosovës, prej 21 milionë eurove. Buxheti i planifikuar për vitin 2021 është realizuar 96%. Kjo ka qenë një arritur shumë e madhe. Vetëm gjatë vitit 2021 kemi pranuar rreth 50 milionë euro donacione, nga SHBA dhe shtetet tjera partnere.

Në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar:

  • Ne kemi 15 marrëveshje bashkëpunimi me vendet partnere. Siç e dini në vitin 2018 në Kuvendin e Republikës së Kosovës, janë miratuar ndryshimet ligjore në fushën e Mbrojtjes dhe Sigurisë, më këtë rast ne kemi iniciuar rishikimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit me të gjitha vendet partnere pas ndryshimit të mandatit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.
  • Marrëveshje të reja janë nënshkruar me: Shqipërinë, Mbretërinë e Bashkuar, Letoninë, Kroacinë, ndërsa me datën 14 prill do të nënshkruhet edhe marrëveshja me Ministrinë e Mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut. Aktualisht jemi në proces të koordinimit për marrëveshje të reja me vendet partnere. Gjithashtu, jemi duke u angazhuar në zgjerimin e partneriteteve të reja me: Francën, Portugalinë, Izraelin, Luksemburgun, Holandën, Norvegjinë etj. Janë nënshkruar marrëveshjet SOFA me Maqedoninë e Veriut dhe Kuvajtin. Është finalizuar marrëveshja SOFA me Kroacinë. Ndërsa jemi në proces të punës për marrëveshje SOFA me këto vende: Jordaninë, Turqinë, Gjermaninë, Poloninë, Letoninë dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Iniciativat Rajonale të sigurisë dhe mbrojtjes:

  • Gjatë kësaj periudhe ne kemi marrë pjesë në takimet e organizuara nga vendet kryesuese, në konferencat e A5 Karta e Adriatikut dhe në nismën e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes së vendeve të Evropës qendrore dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Fokusi jonë kryesor është të bëhemi anëtare me të drejta të plota në A5 Kartës së Adriatikut, si dhe në nisma tjera rajonale.

Stërvitja “Defender-Europe’21”:

  • Ushtrimi më i madh fushor i drejtuar nga ushtria e SHBA-ve për Evropë dhe Afrikë, “Defender-Europe’ 21”. Kosova për herë të parë ishte vend pritës i një ushtrimi ndërkombëtar. Në këtë stërvitje ne kemi marrë pjesë me 330 ushtarë, dhe për herë të parë FSK-ja ka validuar kapacitetet e saj të këmbësorisë në nivel kompanie. Validmi i kapaciteteve luftarake të këmbësorisë së FSK-së është realizuar nga ekipet vlerësuese të SHBA-ve në bashkëpunim me ekipet vlerësuese të FSK-së. Sa për informacionin tuaj, FSK-ja do të marrë pjesë me dy regjimente në ushtrimin e radhës “Defender- Europe’23”, me mbi 1000 ushtarë.

Operacioni i parë jashtë vendit:

  • Bashkë-zbarkimi jashtë vendit përkrahë forcave aleate amerikane në misionin paqeruajtës në Kuvajt. FSK-ja për herë të parë është dislokuar në operacione ndërkombëtare, dislokimi i FSK-së në Kuvajt është bërë duke iu bashkangjitur njësive të gardës kombëtare të IOWA-së.

Mbështetja e NATO-së, në operacionin humanitar për evakuimin e Afganëve: Me kërkesë të NATO-së kemi bërë transportin dhe përcjelljen e Afganëve, që nga 29 gushti i vitit 2021, deri më tani jemi përkujdesur për rreth 1500 Afganë. Për këtë operacion kemi marrë lëvdata nga SHBA dhe shtetet tjera anëtare të NATO-së.

Fondi i Sigurisë:

  • Një e arritur e madhe e jona e cila nuk i përket vetëm Ministrisë së Mbrojtjes por edhe më gjerë, është themelimi i Fondit të Sigurisë, i cili do të na ndihmojë shumë në zhvillimin dhe plotësimin e kapaciteteve tona operacionale.

Kujdesi për mirëqenien të pjesëtarëve:

  • Për të liruar nga pagesa shërbimeve të transportit urban dhe hekurudhor të ushtarëve tanë, kemi nënshkruar memorandume mirëkuptimi me Komunën e Prishtinës dhe Ministrinë e Mjedisit Planifikimit Hapësinorë dhe Infrastrukturës.
  • Për këtë periudhë në shpenzimin e buxhetit, fokusi im ka qenë në blerje të armatimit dhe sistemeve adekuate të mbrojtjes, për avancimin e kapaciteteve ushtarake, për mbrojtjen e vendit.

Vizita zyrtare e sapopërfunduar në Izrael:

Kurse sa i përket, vizitës në Izrael, ju njoftoj se gjatë kësaj vizite, përveç pjesëmarrjes në forumet më të larta në kuadër të Panairit Ndërkombëtar të Industrisë së Mbrojtjes “ISDEF’2022”, kam zhvilluar takime me përfaqësues te institucioneve të shtetit të Izraelit dhe përfaqësues të vendeve tjera.

Gjithashtu, gjatë vizitës jam adresuar audiencës së këtij aktiviteti të fushës së Mbrojtjes me një fjalim lidhur me situatën e sigurisë në vendin tonë, në rajon dhe më gjerë. Në veçanti luftën në Ukrainë pas agresionit të Rusisë.

Për fund, le të vazhdojmë me bashkëpunimin e shkëlqyeshëm në të mirën e përgjithshme për vendin tonë.

This site uses cookies to offer you a better browsing experience. By browsing this website, you agree to our use of cookies.