Ministri Mehaj përgëzoi ushtarakët e Regjimentit të Parë të Këmbësorisë për performancën e shkëlqyeshme në Stërvitjen “DEFENDER-Europe 21”

Për vlerësimin e lartë dhe përgëzimin për performancën e shkëlqyeshme, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, i shoqëruar nga zv.ministri i Mbrojtjes Shemsi Syla, vizitoi sot kazermën e FSK-së në Gjilan, respektivisht Regjimentin e Parë të Këmbësorisë së Forcave Tokësore. Pas takimit me stafin komandues dhe shtabor të Regjimentit, prirë nga nënkolonel Albert Kuçi, ai iu drejtua të gjithë pjesëtarëve të kësaj njësie, e cila para disa ditësh përfundoi me sukses të lartë stërvitjen e saj fushore në kuadër të Stërvitjes së Forcave ushtarake Amerikane me forcat aleate “DEFENDER-Europe 21\”.Me këtë rast, ministri Mehaj, para ushtarakëve, shprehu vlerësimin dhe mirënjohjen e lartë për performancën e shkëlqyeshme të tyre në stërvitjen “DEFENDER- Europe 21” duke theksuar se me këtë sukses keni dëshmuar praktikisht se keni arritur cilësinë e duhur për validimin e aftësive dhe kapaciteteve të para operacionale në nivel kompanie për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial. Kjo e arritur është e veçantë duke pasur parasysh ngjarjen historike, kur vendi ynë ishte edhe vend pritës në kuadër të operacionit më të madh stërvitor të forcave amerikane me forcat aleate në rajonin tonë. Ai gjithashtu, njoftoi me angazhimet dhe hapat e deritashëm të Qeverisë në përgjithësi dhe Ministrisë në veçanti, në funksion të zhvillimit dhe avancimit të aftësive dhe kapaciteteve operacionale të nevojshme, bazuar në prioritetet e Qeverisë dhe qëllimeve strategjike të tij, me orientim kryesor në profesionalizim dhe modernizim të forcave për ndërveprueshmëri të plotë dhe zgjerim të gamës së operacioneve jashtë vendit përkrahë forcave amerikane dhe aleatëve tjerë. Ai u zotua se të gjitha angazhimet e tyre stërvitore e operacionale do të kenë mbështetjen e tij të plotë dhe se, si ushtarak do të ketë me prioritet mirëqenien e ushtarakëve, pajisjen, stërvitjen dhe specializimet adekuate të tyre për shërbim të bazuar në standardet dhe vlerat më të larta të ushtrive të vendeve të NATO-s. Më pas, ministri me delegacionin e tij dhe stafin komandues të regjimentit, bënë homazh në Memorialin Përkujtimor të Gjilan, ku nderoi veprën dhe sakrificën e të gjithë heronjëve dhe dëshmorëve të kombit në këtë ditë që koincidoi edhe Dita e Çlirimit të Gjilanit me rrethinë.

This site uses cookies to offer you a better browsing experience. By browsing this website, you agree to our use of cookies.