Ministri Mehaj iu ka adresuar pjesëmarrësve të edicionit të 8-të të Shkollës Pranverore për Diplomatë të Rinj

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, përmes një video-linku iu ka adresuar pjesëmarrësve të edicionit të 8-të të Shkollës Pranverore për Diplomatë të Rinj me temë “Arkitektura e Sigurisë në Evropë dhe sfidat e saj”, që po mbahet në Pejë. Me këtë rast, Ministri Mehaj theksoi se situata e sigurisë në Evropë dhe botë ndryshoi në orët e para të 24 shkurtit të këtij viti, kur Federata Ruse filloi një pushtim të paprovokuar të Ukrainës. Ministri Mehaj tha se për këtë arsye ekziston nevoja për të trajtuar rreziqet e agresionit rus përtej Ukrainës, duke prekur edhe Evropën dhe Ballkanin. “Sepse, përtej një pushtimi dhe sulmi ndaj një vendi të lirë dhe popullit të tij, ky është edhe një sulm ndaj vlerave demokratike që na bashkojnë të gjithëve. Në këto kohë të vështira, ne gjetëm forcën për t’u bashkuar”, theksoi Ministri Mehaj duke shtuar se Kosova si një vend i lirë dhe demokratik mbështet fuqishëm Ukrainën dhe dënon pushtimin e Rusisë në Ukrainë. Më tej, Ministri Mehaj tha se synimi kryesor i vendit tonë është anëtarësimi në NATO dhe BE, se kjo është radhitje e natyrshme me vlerat që populli i Kosovës i përmbahet dhe se mu për këto synime dhe objektiva, FSK është ngritur bazuar në standardet e NATO-s. Përpos tjerash, në fjalimin e tij,  Ministri Mehaj u shpreh se beson në bashkëpunimin dhe lidhjen e fortë transatlantike, në mënyrë që të mund të përballemi me sfidat e përbashkëta. “Ne duhet të qëndrojmë të bashkuar për të ruajtur paqen dhe stabilitetin; rritja e bashkëpunimit dhe vazhdimi i forcimit të aftësive ushtarake për të siguruar që bashkëpunimi i mbrojtjes të çojë në rezultate konkrete për të përballuar sfidat e përbashkëta në gjeopolitikën globale”, tha mes tjerash Ministri Mehaj.Edicioni i 8-të i Shkollës Pranverore për Diplomatë të Rinj është organizuar nga Akademia Diplomatike e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës në bashkëpunim me Fondacionin Friedrich Ebert.

This site uses cookies to offer you a better browsing experience. By browsing this website, you agree to our use of cookies.