Ministri Mehaj dhe Gjenerallejtënant Jashari me përfaqësim dinjitoz para rreth 50 shteteve në konferencën e Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës (UDCG)

Në Shtabin e Përgjithshëm të NATO-s në Bruksel, Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj dhe Komandanti i FSK-së Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, morën pjesë së bashku me ministrat dhe shefat e mbrojtjes së rreth 50 shteteve, në Konferencën mujore të Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës (UDCG) me ftesë, organizim dhe kryesim të Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes, Lloyd Austin III.

Me këtë rast, Ministri Mehaj, në fjalimin e tij, theksoi masat e Republikës së Kosovës ndaj agresionit rus në Ukrainë si dhe veprimet që ka ndërmarrë Qeveria e Republikës së Kosovës në funksion të mbështetjes së qeverisë dhe popullit ukrainas në kauzën e tyre.

Më pas, në margjinat e konferencës, Ministri Mehaj së bashku me Gjeneral Jasharin takuan Sekretarin Austin si dhe  Komandantin e Komandës Amerikane për Evropë, i cili  njëkohësisht është edhe Komandanti Suprem i NATO-s për Evropë, Gjeneralin me 4 yje Tod D. Wolters.

Gjithashtu, ata takuan edhe ministra e shefa të shumtë të mbrojtjes, si të Kanadasë, Holandës, Shqipërisë, Kroacisë, Polonisë, Letonisë, Malit të Zi etj.

Ky është përfaqësimi më i lartë deri më tani i Ministrit të Mbrojtjes dhe Komandantit të FSK-së, së bashku, në nivelin ndërkombëtar të mbrojtjes.

Ftesa e SHBA-së për përfaqësuesit e Republikës së Kosovës, në këtë Grup, rikonfirmon  besimin e fuqishëm dhe partneritetin e ngushtë me institucionet tona të mbrojtjes dhe sigurisë.

This site uses cookies to offer you a better browsing experience. By browsing this website, you agree to our use of cookies.