Ministri i Mbrojtjes u takua me komandantin e karabinierëve

Ministri i Mbrojtjes, z. Rrustem Berisha, sot priti në takim kolonel Paolo Pelosi, komandantin e Njësisë Multinacionale të Specializuar (MSU), e cila krejtësisht përbëhet nga karabinierët italianë që shërbejnë në kuadër të KFOR-it.
Ministri Berisha e njoftoi komandantin e karabinierëve për progresin e arritur në zbatimin e objektivave të Ministrisë dhe FSK-së sipas mandatit ushtarak. Gjithashtu, theksoi nevojën e thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit dypalësh me Italinë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Më tej, Ministri shprehu konsideratë për rolin e KFOR-it dhe karabinierëve në garantimin e një ambienti të sigurt në Kosovë dhe më gjerë. Ministri shtoi se; FSK-ja edhe me kapacitetet e tanishme është e gatshme që të kontribuojë në misione paqeruajtëse në përkrahje të aleatëve kudo në botë.
Komandanti Pelosi falënderoi Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në për bashkëpunimin e shkëlqyer duke ritheksuar përkushtimin e njësisë së tij për ta përkrahur Kosovën në kuadër të misionit të KFOR-it.
MSU është njësi ushtarake e përbërë nga forca policore me status ushtarak. Kjo njësi i ofron Komandantit të KFOR-it kapacitete për operacione të sigurisë, duke përfshirë inteligjencën kriminale, kontrollin e turmave dhe demonstratave si dhe mbledhjen dhe analizimin e informatave. Sipas kërkesës, MSU gjithashtu mund të ofrojë këshilla, trajnime dhe përkrahje forcave policore të Kosovës në një spektër të gjerë të çështjeve policore, duke përfshirë: zbatimin e ligjit, luftimin e krimit të organizuar dhe terrorizmit, hetimin e krimeve të luftës, parandalimin e krimit dhe sigurisë publike.

This site uses cookies to offer you a better browsing experience. By browsing this website, you agree to our use of cookies.