Ministri i Mbrojtjes dhe komandanti i FSK-së, nderojnë me medalje atasheun ushtarak të Republikës së Shqipërisë

Ministri i Mbrojtjes z. Anton Quni dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, pritën në takim lamtumiresh atasheun ushtarak të Republikës së Shqipërisë, kolonelin Eduart Bala, me rastin e përfundimit të mandatit të tij në Kosovë.Në takim të pranishëm ishin edhe zëvendësministri Enver Dugolli dhe sekretari i përgjithshëm Faruk Geci, si dhe oficerë dhe zyrtarë të lartë të Ministrisë dhe FSK-së. Në fillim, ministri Quni dhe gjeneral Rama falënderuan kolonelin Bala për kontributin e çmuar dhe profesional në thellimin e bashkëpunimit mes FSK-së dhe Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

Më pas, ministri Quni, në shenjë falënderimi për angazhimin e madh gjatë shërbimit të tij në Kosovë, kolonelit Bala i dha medaljen „Për shërbim të shquar“.Ndërsa, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, pasi falënderoi kolonelin Bala për bashkëpunimin e dyanshëm mes FSK-së dhe Forcave të Armatosura të Shqipërisë, si shenjë mirënjohjeje i dha medaljen „Për shërbim vetëmohues“.

Në fjalën e tij, ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, z. Qemal Minxhozi falënderoi ministrin Quni dhe gjeneralin Rama për pritjen dhe bashkëpunimin e dyanshëm në mes të Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe Ushtrisë së Kosovës.Ai, gjithashtu premtoi vazhdimin dhe ngritjen e këtij bashkëpunimi në të gjitha fushat me interes të veçantë për të dyja ushtritë.

Ndërkaq, atasheu ushtarak, koloneli Bala, shprehu falënderimin e tij, për ministrin, komandantin dhe stafin e Ministrisë dhe të FSK-së, për pritjen e ngrohtë dhe bashkëpunimin e ngushtë gjatë shërbimit në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës.

This site uses cookies to offer you a better browsing experience. By browsing this website, you agree to our use of cookies.