Ministri i Mbrojtjes Anton Quni priti në takim ekspertin ushtarak ndërkombëtar Alastair Livingston

Ministri i Mbrojtjes Anton Quni priti sot në takim miqësor ushtarakun me përvojë, veteranin britanik të luftës dhe njëherit mikun e Kosovës Alastair Livingston. Në fillim, Ministri Quni e njoftoi z. Livingston për aktivitetet aktuale që janë duke zhvilluar Ministria e Mbrojtjes dhe FSK në menaxhimin e emergjencës shëndetësore në kuadër të operacionit ndërinstitucional si dhe me objektivat për të ardhmen. Z. Livingston duke falenderuar për mikpritjen, përgëzoi Ministrin Quni për të gjitha të arriturat e deritashme të Ministrisë dhe Forcës si dhe nivelin e lartë të profesionalizimit si në fazën e planifikimit ashtu edhe atë të gatishmërisë dhe reagimit gjatë pandemisë COVID-19. Në fund Ministri Quni, shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin e lartë për kontributin e çmuar të z. Livingston, që nga luftëtari i rryer i luftës u vu në shërbim të zgjidhjes së konflikteve dhe ndërtimit të paqes në shumë vende të botës. Ai falenderoi për gjithë angazhimin e tij në periudhën e pasluftës dhe ndërtimit të vendit tonë, krahas rolit shumë të madh të të gjithë pjestarëve të kontigjentit ushtarak e civil të Mbretërisë së Bashkuar të angazhuar në Kosovë. Si veteranë të luftës dhe ushtarakë profesionist , të dy u dakorduan që të vazhdojnë takimet e përbashkëta për të shkëmbyer idetë dhe eksperiencat në funksion gjithëpërfshirës të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në vend, rajon dhe më gjerë.

Alastair Livingston shërbeu në Marinën e SHBA-së për 20 vite (1968-1988) duke filluar karrierën luftarake në Luftën e Vietnamit . Gjatë shërbimit të tij në Vietnam ai u dekorua me shumë çmime, përfshirë Yllin e Argjendtë dhe dy Zemra të purpurta. Pas pensionimit, Alastair Livingston filloi karrierën si ekspert ndërkombëtar për zgjidhjen e konflikteve dhe ndërtimin e paqes. Ka vazhduar të punojë në një larmi rolesh përfshirë paqeruajtjen, parandalimin e konflikteve, të drejtat e njeriut me organizata përfshirë OKB, OSBE, Qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar dhe OJQ të ndryshme. Ka shërbyer në zona të shkatërruara nga lufta duke përfshirë Kosovën, Kroacinë, Irakun, Taxhikistanin dhe Afganistanin. Ndër të tjera ai ka ndihmuar në mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve, mbikëqyrjen e një projekti unik të deminimit në Azinë Qendrore. Në vendin tonë, ai ishte Drejtor Rajonal për OSBE-në në Kosovë nga 2000 deri në 2008, kurse në vitin 2014, Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar e emëroi atë si Këshilltar të Lartë në Zyrën për Çështje të Komunitetit për Kryeministrin e Kosovës.

This site uses cookies to offer you a better browsing experience. By browsing this website, you agree to our use of cookies.