Ministri i Mbrojtjes Anton Quni, priti ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë Nicholas Abbott

Në vazhdën e vizitave të ambasadorëve të vendeve mike, Ministri i Mbrojtjes Anton Quni, priti sot ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë Nicholas Abbott. Në fillim , ambasadori Abbott uroi Ministrin Quni për detyrën e ministrit të mbrojtjes. Duke i uruar mirëseardhje, Ministri Quni shprehu falënderimin për Mbretërinë e Bashkuar në mbështetjen e ofruar deri më tani në ndërtimin, zhvillimin dhe avancimin e gjithmbarshëm të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së. Ministri Quni theksoi se mbështetja e deritashme në trajnime, shkollime dhe forma tjera e ofruar nga Mbretëria e Bashkuar ka qenë shumë e rëndësishme në ndërtimin, zhvillimin dhe avancimin e kuadrove profesionale dhe ndikim të lartë në realizimin e aftësive dhe kapaciteteve operacionale të ndërveprueshme me forcat aleate të vendeve partnere dhe anëtare të NATO-së siç është edhe vet Mbretëria e Bashkuar. Ministri Quni e njoftoi ambasadorin Abbott edhe me procesin e implementimit të Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit duke ritheksuar se ky proces, si deri më tani, do të realizohet në transparencë të plotë dhe përputhje me kornizën kohore të planifikuar si dhe në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me vendet partnere. Lidhur me interesimin e ambasadorit rreth idesë së shërbimit të obligueshëm ushtarak, ministri Quni theksoi se çdo propozim apo veprim yni do të ndërmerret në bashkërendim dhe pajtueshmëri të plotë me partnerët tanë me të cilët kemi rrugëtuar deri këtu dhe fuqishëm do të jemi bashkë edhe në të ardhmen.
Ai ritheksoi edhe njëherë se FSK është dhe do të jetë forcë bashkëkohore me vlera dhe standarde të vendeve të NATO-s nën kontrollin civil demokratik dhe gjithnjë në shërbim të paqes, stabilitetit dhe sigurisë rajonale dhe më gjerë. Nga ana e tij, ambasadori Abbott, premtoi se Mbretëria e Bashkuar, sikur edhe deri më tash, do të vazhdojë partneritetin me Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në në mënyrë që të përmbushë me sukses të plotë synimet e tyre, respektivisht procesin e tranzicionit sipas planit përkatës. Në fund, të dy ishin të një qëndrimi që të intensifikohet edhe më tej bashkëpunimi bilateral në mes dy vendeve mike në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Në delegacionin pritës të Ministrit Quni ishin këshilltari ushtarak Kolonel Hamdi Pollomi dhe Drejtori i Departamentit për Marrëdhënie Ndërkombëtare kolonel Hasan Hoxha, kurse ambasadori Abbott shoqërohej nga atasheu ushtarak i Mbretërisë së Bashkuar, Nënkolonel Andy Layton, Këshilltarin Britanik, Nënkolonel Martin Browning si dhe Jack Watson nga Ministria e Punëve të jashtme.

This site uses cookies to offer you a better browsing experience. By browsing this website, you agree to our use of cookies.