Ministri i Mbrojtjes Anton Quni priti ambasadoren e Mbretërisë së Holandës Gerrie Willems

Në vazhdën e vizitave të ambasadorëve të vendeve mike, Ministri i Mbrojtjes Anton Quni, priti sot ambasadoren e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Gerrie Willems. Në fillim , ambasadorja Willems uroi Ministrin Quni për Ditën e Pavarësisë dhe detyrën e tij të ministrit të mbrojtjes. Duke i uruar mirëseardhje, Ministri Quni shprehu falënderimin për Mbretërinë e Holandës në mbështetjen e ofruar deri më tani në ndërtimin, zhvillimin dhe avancimin e gjithmbarshëm të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së. Ministri Quni theksoi se mbështetja e deritashme në trajnime dhe pajisje specialistike e ofruar nga Holanda ka qenë shumë e rëndësishme në ndërtimin, zhvillimin dhe avancimin e kuadrove profesionale dhe ndikim të lartë në realizimin e aftësive dhe kapaciteteve operacionale të ndërveprueshme me forcat aleate të vendeve partnere dhe anëtare të NATO-së siç është edhe vet Holanda.Ministri Quni e njoftoi ambasadoren edhe me procesin e implementimit të Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit duke ritheksuar se ky proces, si deri më tani, do të realizohet në transparencë të plotë dhe përputhje me kornizën kohore të planifikuar si dhe në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me vendet partnere.Lidhur me interesimin e ambasadores rreth idesë së shërbimit të obligueshëm ushtarak, ministri Quni theksoi se çdo propozim apo veprim yni do të ndërmerret në bashkërendim dhe pajtueshmëri të plotë me partnerët tanë me të cilët kemi rrugëtuar deri këtu dhe fuqishëm do të jemi bashkë edhe në të ardhmen.

Ai ritheksoi edhe njëherë se FSK është dhe do të jetë forcë bashkëkohore me vlera dhe standarde të vendeve të NATO-s nën kontrollin civil demokratik dhe gjithnjë në shërbim të paqes, stabilitetit dhe sigurisë rajonale dhe më gjerë.Nga ana e saj, ambasadorja Willems, premtoi se Holanda, sikur edhe deri më tash, do të vazhdojë të ndihmojë dhe mbështesë Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në në mënyrë që të përmbushë me sukses të plotë synimet e tyre, respektivisht procesin e tranzicionit sipas planit përkatës.Në fund, të dy ishin të një qëndrimi që të intensifikohet edhe më tej bashkëpunimi bilateral në mes dy vendeve mike në fushën e mbrojtjes.

Në delegacionin pritës të Ministrit Quni ishin shefi i Kabinetit dr.Jashar Ramadani dhe këshilltari ushtarak Kolonel Hamdi Pollomi, kurse ambasadorja Willems shoqërohej nga atasheu ushtarak i Mbretërisë së Holandës Nënkolonel Theo Plinjer, i pranishem ne takim ishte edhe këshilltari ushtarak gjerman, Nënkolonel Armin Dausch.

This site uses cookies to offer you a better browsing experience. By browsing this website, you agree to our use of cookies.