Ministri Anton Quni priti delegacionin e Qendrës Evropiane për Studime të Sigurisë

Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, priti sot delegacionin e Qendrës Evropiane për Studime të Sigurisë (CESS) me seli në Groningen të Holandës, kryesuar nga drejtori ekzekutiv Merijn Hartog. Bashkë me delegacionin holandez ishte edhe drejtori Ekzekutiv i Institutit Kosovar për Kërkimin dhe Zhvillimin e Politikave (KIPRED), Lulzim Peci, në cilësi të organizatës partnere për implementimin e projektit përkatës për Kosovë. Drejtori Hartog, falënderoi për mikpritjen dhe përgëzoi ministrin Quni, për marrjen e detyrës së Ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës. Ai njoftoi lidhur me misionin e Qendrës Evropiane për Studime të Sigurisë dhe qëllimin e projektit regjional ”Zhvillimi i Kapacitetit, Bashkëpunimit dhe Kulturës në Mbikëqyrjen e Sektorëve të Sigurisë së Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut (DECOS)”.

Projekti DECOS financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme e Holandës dhe do të zgjasë për tre vjet (2019-22). Drejtori Hartog, më tej theksoi se; projekti DECOS synon të fuqizojë parlamentet, organizatat e shoqërisë civile dhe aktorët e tjerë në funksion të tyre të mbikëqyrjes demokratike të sigurisë. “Kjo synohet të arrihet duke rritur kapacitetet, duke rritur bashkëpunimin dhe duke forcuar një kulturë të mbikëqyrjes së sektorëve të sigurisë” tha ai . Në vazhdim, lidhur me procesin e implementimit të projektit përkatës në Kosovë, ministrin Quni e njoftoi koordinatori i projektit për Kosovë, Lulzim Peci.

Ministri Quni, falënderoi mysafirët për vizitën dhe shprehu vlerësimin e lartë për kontributin e deritashëm të shtetit holandez në të gjitha të arriturat e deritashme të Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.Ai gjithashtu, shprehu mirënjohjen dhe besimin për suksesin e synuar të projektit DECOS, duke pasur parasysh eksperiencën e madhe profesionale dhe akademike të kuadrit holandez të reflektuar edhe nga Qendra Evropiane për Studime të Sigurisë, si dhe KIPRED-it, si partner i saj shumë kredibil dhe serioz në vend sa i përket fushës së kërkimit dhe zhvillimit të politikave të sigurisë.

Në fund, Ministri Quni dhe drejtori Hartog u pajtuan për bashkëpunim në të ardhmen në fushat me interes të përbashkët. Përveç drejtorëve Hartog dhe Peci pjesë e delegacionit ishin edhe Peter Van Hoyte si bashkëpunëtor i lartë i CESS dhe Blend Zyrapi zyrtar i lartë i KIPRED.

 

This site uses cookies to offer you a better browsing experience. By browsing this website, you agree to our use of cookies.