Mesazhi i urimit të komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama për Vitin e Ri 2021

Të dashur qytetarë të vendit tim,
Të dashur ushtarë, nënoficerë, oficerë dhe staf civil i FSK-së,
Të nderuar ushtarë, nënoficerë dhe oficerë të forcave partnere,

Në prag të këtij fund viti në një periudhë shumë sfiduese për vendin dhe botën, është koha që të reflektojmë dhe të përgatitemi për vitin që po vjen. Shërbimi vetëmohues dhe fryma ekipore janë vlerat që na mundësuan të luftojmë me besim të plotë se do ta fitojmë betejën me pandeminë. Prandaj me po të njëjtin vullnet dhe përkushtim duhet të vazhdojmë tutje.
Në këtë ditë feste, shfrytëzoj rastin të falënderoj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës për besimin që kanë ndaj nesh, duke i siguruar që FSK do të vazhdojë të punoj me përkushtimin edhe më të madh që ne të jetojmë në një vend të sigurt.
Duke reflektuar në sukseset tona si FSK gjatë vitit 2020, dua të i përgëzoj të gjithë ushtarët, nënoficerët, oficerët, dhe stafin civil për punën e palodhshme në shërbimin ndaj atdheut. Një falënderim të veçantë u shpreh familjeve të pjesëtarëve të FSK-së për sakrificën që po e bëjnë në mbështetje të objektivave tona. Ju jemi përjetësisht mirënjohës!Kuptohet që suksesi ynë do të ishte i pa imagjinueshëm pa mbështetjen e partnerëve tanë, prandaj dua të ritheksoj që suksesi ynë është edhe suksesi i tyre.
Duke kujtuar brezat që sakrifikuan jetën e tyre që ne sot të festojmë të lirë dhe duke shprehur respektin më të lartë për familjet e tyre, uroj që viti 2021 të na gjejë të bashkuar më shumë se kurrë!

Gëzuar viti 2021, festoni shëndetshëm!

Me respekt,
Gjenerallejtënant Rrahman Rama

This site uses cookies to offer you a better browsing experience. By browsing this website, you agree to our use of cookies.