Me rastin e Ditës së Pavarësisë, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi i adresohet pjestarëve të FSK-së

Në shënim të 12 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, sot Presidenti i Republikës së Kosovës z. Hashim Thaçi, ka vizituar Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë. Në cilësi të Komandantit Suprem të FSK-së, ai u është adresuar me një fjalim pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës të rreshtuar me këtë rast. Në shoqërim të Komandantit të FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama, Presidenti Thaçi vuri kurorë me lule pranë obeliskut të dëshmorëve, në kujtim dhe nderim të të gjithë dëshmorëve të kombit të rënë për liri. Duke kujtuar rrugëtimin e vështirë për liri dhe pavarësi me shumë mund e sakrificë, Presidenti Thaçi vlerësoi lart përkushtimin e jashtëzakonshëm të të gjithë pjestarëve për ndërtimin, zhvillimin dhe fuqizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në shërbim të vendit dhe qytetarëve pa dallim. “Pjesëtarët e FSK-së janë dhe do të mbeten krenaria më e madhe e vendit. Është nder dhe privilegj të jem në mesin tuaj, në këtë ditë të madhe historike dhe të bekuar. Për të ardhur deri në këtë ditë që Kosova të ketë ushtrinë e vet, u deshtë shumë mund e luftë, përpjeke e durim dhe përgatitje sistematike. Ushtria e Kosovës u rrit së bashku me vitet e lirisë, pavarësisë dhe zhvillimit të saj. Ushtar të nderuar bazamenti i ushtrisë së Kosovës është gjaku derdhur për liri.” tha ai. Presidenti Thaçi , gjithashtu, shprehu falenderimin dhe mirënjohjen e thellë për rolin dhe kontributin e pazëvendësueshëm të vendeve mike në ndërtimin e FSK-së si ushtri moderne me vlera dhe standarde të ushtrive të vendeve të NATO-s. Vlera dhe standarde të cilat u kurorëzuan me epitetin e merituar qytetar si institucioni më kredibil i sigurisë në vend.

“Ushtria e Kosovës është shembulli më i mirë i bashkëpunimit me shtetet mike të cilat na u gjenden afër në momentet më kritike të historisë sonë. Qytetarët dhe shteti ynë krenohemi me ju, andaj me plot meritë jeni institucioni që gëzoni respekt të gjerë në vend” tha ndër tjera ai. Vizita e Presidentit Thaçi përmbylli edhe aktivitetet e organizuara nga Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i FSK-së në shënim të 17 shkurtit –Ditës së Pavarësisë së vendit.

This site uses cookies to offer you a better browsing experience. By browsing this website, you agree to our use of cookies.