Mbretëria e Bashkuar mbështet zhvillimin e instruktorëve të trajnimit fizik të KDS-së

Në kazermën „Skënderbeu“ të FSK-së në Ferizaj, dje u mbajt ceremonia e pranim-dorëzimit të një donacioni nga Mbretëria e Bashkuar për zhvillimin dhe ngritjen profesionale të instruktorëve të fitnesit fizik ushtarak të Forcës së Sigurisë të Kosovës, përkatësisht të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes në Ferizaj. Me këtë rast, komandanti i KDS-së, gjeneral brigade Irfete Spahiu, ka falënderuar Mbretërinë e Bashkuar për ndihmën e vazhdueshme që po jep për KDS-në dhe në përgjithësi për FSK-në. Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar, Seksioni i Mbrojtjes në Prishtinë, në katër vitet e fundit ka mbështetur në vazhdimësi zhvillimin e instruktorëve në fushën e fitnesit fizik. Ushtarët e FSK-së kanë ndjekur kurse 3- mujore dhe 1- vjeçare në Shkollën e Trajnimit Fizik Ushtarak të Ushtrisë Mbretërore në Aldershot të Mbretërisë së Bashkuar, duke përvetësuar teknikat profesionale të standardeve të fundit të ushtrisë të Mbretërisë së Bashkuar. Ky program u vlerësua si mjaft efektiv për aftësimin dhe përgatitjen e instruktorëve të FSK-së.

Lidhur me këtë është shprehur edhe këshilltari i komandantit të FSK-së, nënkoloneli Martin Browning: ,,Ne jemi shumë të kënaqur me trajnimin për përgatitjen e instruktorëve të FSK-së, i cili është mbajtur në Mbretërinë e Bashkuar. Tani, më 9 nëntor 2020, do të fillojmë me organizimin e kurseve të fitnesit fizik në KDS. Edhe blerja e pajisjeve për fitnes fizik është në funksion të zhvillimit të instruktorëve të trajnimit fizik’’.

This site uses cookies to offer you a better browsing experience. By browsing this website, you agree to our use of cookies.