Kryeministri Kurti dhe ministri Mehaj vizituan Regjimentin e parë të Forcave Tokësore të FSK-së

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, zëvendësministri Shemsi Syla dhe zëvendëskomandanti i FSK-së, gjeneral major Enver Cikaqi, në përvjetorin e 38-të të rënies së heronjve, Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha, vizituan sot Regjimentin e parë të Forcave Tokësore të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në Kazermën “NewBorn”, në Gjilan.

Në fjalimin para pjesëtarëve të Regjimentit, kryeministri Kurti u shpreh i nderuar dhe krenar për  vizitën dhe shtoi se nuk ka mënyrë më të mirë për të filluar vitin e ri.

Kryeministri Kurti theksoi se ngritja e ushtrisë është detyrë e përbashkët dhe se Qeveria e Republikës së Kosovës e merr me shumë përkushtim modernizimin e ushtrisë si me pajisje dhe me armatim, ashtu edhe kushtet e shërbimit, si dhe me ofrimin e mundësive ku ushtarët mund t’i tregojnë shkathtësitë e tyre.

Më tej, ai tha se këmbësoria, si degë më e vjetër e ushtrisë, dëshmon që teknologjia dhe pajisjet ushtarake, sado të sofistikuara dhe precize, nuk mund ta zëvendësojnë vrullin dhe fuqinë e luftarakut të zot.

Në vitin që lamë pas, FSK-ja tregoi profesionalizëm të lartë, përkushtim në shërbim të paqes e sigurisë, jo vetëm brenda kufijve të saj, por edhe jashtë, si dhe, jo vetëm për qytetarët e saj, por edhe të gjithë ata që kanë nevojë”, tha kryeministri Kurti.

Gjatë fjalimit të tij, ai theksoi si një ndër sukseset më të larta të vitit 2021, pjesëmarrjen në “Defender Europe ‘21”, ku  u tregua gatishmëria, profesionalizmi dhe ndërveprimi me ushtarakët e NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Pjesëmarrja në ushtrimin ndërkombëtar dhe validimi i suksesshëm i kompanisë tuaj, është testament i arritjeve, të cilët na bëni çdo ditë krenarë të gjithë neve”, tha kryeministri Kurti. Ai shprehu bindjen se sfida e radhës, “Defender Europe ‘23”, do t’i gjejë edhe më mirë, edhe më të përgatitur.

Në të njëjtën ditë, me rastin e 38 vjetorit të rënies së dëshmorëve Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha, ministri Mehaj, në shoqërim të zëvendësministrit Syla dhe stafit të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, vizituan familjet e tyre në Gjilan.

Ata gjithashtu bënë homazhe në varrezat e dëshmorëve të komunës së Gjilanit.

This site uses cookies to offer you a better browsing experience. By browsing this website, you agree to our use of cookies.