Kosova për herë të parë pjesëmarrëse në konferencën e Bashkëpunimit të Mbrojtjes së Evropës Qendrore

Me ftesë të Ministrisë së Mbrojtjes së Sllovenisë, si nikoqir, zv. Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Faruk Geci dhe drejtori i Departamentit për Bashkëpunimin Ndërkombëtar dhe Integrimet Euroatlantike, kolonel Hasan Hoxha, sot morën pjesë në punimet e Konferencës vjetore të Bashkëpunimit të Mbrojtjes së Evropës Qendrore ( The Central European Defence Cooperation – CEDC). Bashkëpunimi Evropian Qendror i Mbrojtjes (CEDC) është iniciativë e bashkëpunimit ushtarak i përbërë nga shtetet e Evropës Qendrore të Austrisë, Republikës Çeke, Sllovakisë, Hungarisë, Sllovenisë dhe Kroacisë dhe Polonisë me status vëzhguesi. Objektivi i përbashkët i kësaj iniciative është rritja e bashkëpunimit të mbrojtjes, duke përfshirë bashkimin dhe ndarjen e aftësive mbrojtëse të vendeve anëtare si dhe organizimin e trajnimeve dhe stërvitjeve të përbashkëta. Kosova këtë radhë u ftua së bashku me vendet tjera të Ballkanit Perëndimor, pasi që sesioni i sivjetëm i konferencës u fokusua në identifikimin e rrugëve të mundshme për një dialog të zgjeruar të Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes së BE-së (Common Security and Defence Policy -CSDP -EU) me vendet e Ballkanit Perëndimor. Brenda kësaj teme u vlerësuan edhe nevojat nga pjesëmarrësit e Ballkanit Perëndimor dhe u identifikuan format e bashkëpunimit në të ardhmen në formatin CEDC +, me qëllim të ndërtimit të kapaciteteve të partnerëve.

Z. Geci dhe kolonel Hoxha gjatë ekspozesë së tyre, nga perspektiva e Ministrisë së Mbrojtjes prezantuan sistemin e integruar të menaxhimit të krizës në Kosovë, respektivisht procesin e planifikimit, gatishmërisë dhe ekzekutimin e operacioneve dhe masave anti-covid në kuadër të reagimit të përbashkët ndërinstitucional, me fokus në aftësitë dhe kapacitetet e angazhuara të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së. Ata vlerësuan lart mbështetjen nga BE dhe vendet e tjera partnere si dhe shprehën gatishmërinë e plotë për bashkëpunim me vendet e rajonit dhe vendet e tjera në ndarjen e përvojave si dhe gatishmërinë për të kontribuar me pjesëmarrje konkrete në operacionet e përbashkëta kundër pandemisë dhe fatkeqësive tjera. Ata nënvizuan nevojën për një dialog të zgjeruar të Politikave të Përbashkët e Sigurisë dhe Mbrojtjes së BE-së me Ballkanin Perëndimor, duke vlerësuar misionet e BE-së dhe të NATO-s në rritjen dhe konsolidimin e sigurisë rajonale. Z.Geci shprehu besimin se Kosova është tashmë në fazën kur mund të ofroj kontributin e saj, veçanërisht në fushën e emergjencave civile dhe gatishmërinë të mbështesë vendet e rajonit në rast krizash. “Tërmeti i vitit të kaluar në Republikën e Shqipërisë dëshmoi nevojën në rritje për bashkëpunim rajonal në reagim të përbashkët dhe Kosova rithekson gatishmërinë për të bashkëpunuar me strukturat e BE-së ose ato rajonale të mbrojtjes për t’i mbështetur ato në raste të emergjencave humanitare” tha ndër të tjera z. Geci. Lidhur me bashkëpunimin me institucionet e mbrojtjes së BE-së, z. Geci theksoi se Kosova i jep përparësi anëtarësimit në BE dhe natyrisht, Ministria e Mbrojtjes, si të gjitha institucionet e tjera të Republikës së Kosovës, synon të zhvillojë dhe përafrojë bazën ligjore me atë të BE-së, krahas vazhdimit të ndërveprimit brenda Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes. Bashkëpunimin në të ardhmen në formatin CEDC + me qëllim të ndërtimit të kapaciteteve të partnerëve të Ballkanit Perëndimor, përfaqësuesit tanë e vlerësuan shumë të rëndësishëm krahas mbështetjes për ndërtimin e aftësive dhe kapaciteteve të FSK-së në këtë kontekst si dhe zhvillimin e stërvitjeve të përbashkëta me aktorë rajonalë dhe evropianë.

Prezantimi i z. Geci dhe kolonel Hoxhës, u përcollën me interesim dhe u vlerësuan lart nga ana e pjesëmarrësve. Për shkak të kufizimeve të krijuara nga masat anti-covid, konferenca u realizua përmes platformës së video-konferencës.

This site uses cookies to offer you a better browsing experience. By browsing this website, you agree to our use of cookies.