Kosova nis kontingjentin e parë ushtarak në operacione paqeruajtëse

Në ambientet e Kazermës “Adem Jashari” u zhvillua sot ceremonia e dërgimit të kontingjentit të parë të trupave ushtarake të FSK-së në misionin paqeruajtës në kuadër të trupave ushtarake amerikane të Gardës Kombëtare të Iowa-s. Në ceremoninë përkatëse, të pranishëm ishin U.d. Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ministri i Mbrojtjes në detyrë, Anton Quni, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, si dhe zyrtarë diplomatikë e ushtarakë vendor e amerikan si dhe shteteve tjera partnere. Pas lutjeve të kapelanit të FSK-së, rreshter major Agim Gashi, për ushtarakët e kontingjentit për dislokim, U.d. Presidentja Osmani në fjalën e saj shprehu impresionet e saj për këtë ngjarje historike për vendin dhe partneritetin strategjik me SHBA-në.Sikur ajo edhe ministri Quni dhe gjeneral Rama, theksuan rëndësinë historike të ngjarjes së sotme për vendin dhe popullit tonë si dhe FSK-në dhe të ardhmes së saj.Ata shprehën mirënjohjen e lartë për mbështetjen e pakursyer të shtetit, kombit dhe forcave amerikane për të arriturat e deritashme të FSK-së në forca moderne ushtarake me standardet më të larta profesionale. Kjo mbështetje nga të tre u vlerësua jetike për FSK-në që të jetë e gatshme për të përmbushur detyrat kushtetuese dhe ligjore të saj, ndër të cilat edhe pjesëmarrjen efektive në misionet paqeruajtëse dhe stabilitetit jashtë vendit.Ata kërkuan nga ushtarakët e kontingjentit për dislokim që të udhëhiqen gjithmonë nga vlerat dhe standardet më të larta të ushtarakut që janë të përputhshme plotësisht me vlerat historike të kulturës dhe traditës sonë kombëtare si: besnikëria, detyra, respekti, shërbimi vetëmohues, nderi, integriteti dhe guximi personal. Këto u vlerësuan fuqia e natyrshme e ushtarakut në shërbim të drejtësisë, lirisë, barazisë dhe demokracisë, vlera këto të përbashkëta të popullit amerikan dhe popullit të Kosovës.Përmes video-mesazhit të pranishmëve iu drejtua edhe komandanti i Gardës Kombëtare të Iowa-s, gjeneral major Benjamin J. Corell, i cili theksoi se bashkë-dërgimi i kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës me forcat amerikane të udhëhequra nga ai demonstron fuqishëm gatishmërinë e FSK-së për të ofruar kontributin për paqen, sigurinë dhe stabilitetin kudo në botë.Krahas lutjeve edhe të kapelanit të Gardës Kombëtare të Iowa-s, major Sleton, në fund të gjithë uruan ushtarakët e kontingjentit që të shërbejnë me dinjitet dhe profesionalizëm për të nderuar Atdheun, Kombin, Flamurin dhe Emblemën e FSK-së si dhe besimin e përjetshëm të miqve tanë amerikan.

Forca e Sigurisë së Kosovës, përkatësisht një njësi e saj do të marrë pjesë në misione paqeruajtëse jashtë vendit krahas ushtrisë amerikane. Kjo marrëveshje, dy muaj më parë u ratifikua në Parlamentin e Kosovës dhe shënon për herë të parë angazhimin e trupave të saj në një mision ushtarak paqeruajtës jashtë vendit.Kontingjenti i FSK-së, i integruar në trupat e Gardës Kombëtare të Iowa-s, do të operoj në Komandën Qendrore të Forcave Amerikane, e cila ka përgjegjësi në zonën gjeografike ku përfshihet Lindja e Mesme, një pjesë e Azisë Jugore dhe Afrika Verilindore.

This site uses cookies to offer you a better browsing experience. By browsing this website, you agree to our use of cookies.