Kosova e gatshme të marrë përgjegjësitë e saj për paqen dhe sigurinë e rajonit

Në kuadër të sesioneve periodike, në Sarajevë nën kryesimin e radhës së Bosnjës e Hercegovinës, sot u mbajtë konferenca e Kartës së Adriatikut, A5-SHBA, në nivel të drejtorëve të politikave të mbrojtjes. Republika e Kosovës aktualisht ka statusin e vendit vëzhgues në këtë iniciativë. Me ftesë të Ministrisë së Mbrojtjes së Bosnjës e Hercegovinës, në konferencë morri pjesë drejtori i Departamentit për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Integrimeve Euroatlantike të Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, kolonel Hasan Hoxha. Për shkak të rrethanave të krijuara nga kriza e pandemisë COVID-19, takimi u realizua përmes video-konferencës me pjesëmarrje edhe të drejtorëve të politikave të mbrojtjes nga Shqipëria, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Bosnjës e Hercegovinës si anëtare të rregullta , Serbia si anëtare vëzhguese si dhe përfaqësuesi nga SHBA.Temat kryesore të Konferencës u fokusuan në programet e bashkëpunimit rajonal të mbrojtjes, me theks të veçantë në pandeminë aktuale COVID-19, ndikimit të saj në performancën e aktiviteteve të planifikuara të institucioneve të mbrojtjes, epoka post-COVID me rreziqet, sfidat dhe mundësitë, si dhe Kartën e Adriatikut, A-5-SHBA, si një platformë për rritjen e partneriteteve dhe nxitjen e procesit të integrimit euro-atlantik në përputhje me nivelin individual të ambicieve të vendeve pjesëmarrëse.

Në ekspozenë e tij, kolonel Hoxha ofroi informacionet kryesore për pasojat e pandemisë COVID-19 në Kosovë dhe masat reaguese anti-covid të qeverisë së vendit me mekanizmat e saj. Ai theksoi rolin dhe misionin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së me aftësitë dhe kapacitetet e saj operacionale në mbështetjen ushtarake të autoriteteve civile dhe qytetarëve të vendit në përgjithësi në efektivitetin dhe efikasitetin e masave anti-covid. Gjithashtu, kolonel Hoxha, pjesëmarrësit i njoftoi edhe me sfidat që ka shkaktuar, pandemia COVID-19 edhe në funksionalitetin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe operacionalitetin e përgjithshëm të FSK-së, procesin e realizimit të objektivave dhe aktiviteteve të planifikuara paraprakisht për periudhën përkatëse, mësimet e nxjerra nga kjo krizë dhe vizionin për të ardhmen. Ndër të tjera, kolonel Hoxha theksoi se, Karta e Adriatikut –SHBA, është platformë shumë e vlefshme për fuqizimin e partneritetit të Republikës së Kosovës në procesin e saj të integrimit euro-atlantik. Në fund, ai shprehu gatishmërinë e plotë për të ofruar kontributin e Republikës së Kosovës me Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon dhe më gjerë si anëtare e plotë e Kartës së Adriatikut – SHBA.

This site uses cookies to offer you a better browsing experience. By browsing this website, you agree to our use of cookies.