Kosova dhe Mali i Zi nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka pritur në takim homologun e tij nga Mali i Zi, Ministrin Rasko Konjevic, me të cilin nënshkruan memorandum bashkëpunimit në nivel të dy ministrive të mbrojtjes.

Me këtë rast, Ministri Mehaj theksoi se me nënshkrimin e këtij memorandumi të bashkëpunimit, dëshmohet vazhdimësia e bashkëpunimit në mes të të dy vendeve, në nivele tjera, me aktivitete e angazhime të përbashkëta.

Ministri Mehaj, në fjalën e tij drejtuar mediave, tha se: ”Nëpërmjet kësaj marrëveshje do të zgjerohet fushëveprimi i bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes që do të ketë ndikim të shumanshëm në të mirën e sigurisë, stabilitetit dhe demokracisë mes dy vendeve tona si dhe rajonit tonë në përgjithësi”.

Më tej, Ministri Mehaj tha se thellimi në vazhdimësi i këtij bashkëpunimi do të mundësojë që lehtësisht të menaxhohet dhe me efektivitet të përballohen kërcënimet, rreziqet dhe sfidat në mjedisin e sigurisë rajonale, kontinentale e globale.

“Mali i Zi si shtet mik i yni, duke vlerësuar angazhimin e Republikës së Kosovës, Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së në mbështetje të misioneve të NATO-s, do të ofrojë mbështetje edhe në procesin e realizimit të synimit tonë për anëtarësim në Programin e Partneritetin për Paqe, si rrugë drejtë anëtarësimit tonë në NATO”, theksoi më tej Ministri Mehaj në këtë konferencë për media.

Ndërsa Ministri i Mbrojtjes i Malit të Zi, Rasko Konjevic, tha së nëpërmjet këtij memorandumi, hapen rrugët për një bashkëpunim edhe më të mirë, duke theksuar se Mali i Zi do të përkrahë Kosovën në realizimin e aspiratave drejt integrimeve euroatlantike.

Bashkëpunimi në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi do të shtrihet që nga shkëmbimet e përvojave profesionale të kuadrove, qendrave akademike e specialistike dhe deri te angazhimet në mbështetje reciproke me kapacitete operacionale, në rast të emergjencave.

 

This site uses cookies to offer you a better browsing experience. By browsing this website, you agree to our use of cookies.